Arbëri

Prishtina duhet të ulë nga 300 në 40 numrin e infektimeve ditore për të shmangur karantinën

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Me masat e reja të propozuara sot nga kryeministri Avdullah Hoti dhe që pritet të votohen në Qeveri gjatë ditës, Prishtina do të jetë një prej disa komunave që do të futet në karantinë. Pra do të ndalohen hyrje-daljet si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Qeveria ka vendosur që të gjitha komunat që gjatë javës regjistrojnë mbi 150 të infektuar për 100 mijë banorë, atëherë futen në “zonën e kuqe” dhe automatikisht në karantinë.

Aktualisht komunat e “zonës së kuqe” janë Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica e Jugut, Gjilani, Ferizaj, Shtimja, Gjakova dhe Peja.

Prishtina me rreth 200 mijë banorë zyrtarisht, duhet të regjistrojë 300 ose më pak raste në javë për të mos u futur në karantinë. Por, me këtë ritëm është larg kësaj, pasi tash edhe në ditë po regjistron mbi 300 raste pozitive.

Të martën, Prishtina regjistroi 295 raste, kurse të hënën 324.

Pra, Prishtina duhet të regjistrojë mesatarisht nga 40 raste në ditë që në fund të javës të mos ketë mbi 300 raste që e fusin në karantinë.

Ndarjen e komunave në zona me ngjyra, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka quajtur absurde.

“Sistemi i qeverisë për masa: Prishtina në zonën e kuqe, e Lipjani e Graçanica në zonë të gjelbër, thua se jemi qindra kilometra larg. Në qoftë se një komunë nuk e teston askënd, pra nuk ka raste pozitive, atëherë është në zonën e gjelbër. Prishtina me 12.000 teste natyrisht se ka me dal me numër më të madh se sa Ferizaj me 350 teste. Jo mbylljes me këso parimesh e kriteresh! Jo mbylljes pa ndihmë ekonomike për bizneset dhe qytetarët”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.