Arbëri

Dislokohen gypat, i hapin rrugë parkingut nëntokësor

Fundi i muajit shtator e fillimi i tetorit e ka gjetur Prishtinën mes gërmimeve brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës pas nisjes së punimeve për parkingun nëntokësor.

Sipërfaqja e ndarë për këtë parking do të jetë rreth 13.990 metra katrorë, derisa planifikohet të ndërtohet në 2 nivele me mbi 700 vendparkime, raporton KOHA.

Rëndësi e veçantë pritet t’i kushtohet parkut mbi këtë parking që pas realizimit do të shndërrohet në parkun kryesor të kryeqytetit.

Faza fillestare e krejt këtij projekti përfshin largimin e gypave të ngrohtores së Termokosit nga oborri i UP-së, për çka zëdhënësja e këtij institucioni, Afërdita Uka, thotë se kanë marrë njoftimin nga komuna kohë më parë.

Derisa prishtinasit thonë se e mirëpresin një projekt të tillë duke pasur parasysh se i njëjti ka kohë që është premtuar nga kryetari Ahmeti.

Sipas tyre, ai do të ndihmonte në lirimin e vendkalimeve për këmbësorë që në jo pak raste bllokohen nga automjetet.

Kryetari Shpend Ahmeti ka konfirmuar dislokimin e gypave si parapërgatitje për parkingun nëntokësor. Për rrethojat e reja që janë komentuar, i pari i Komunës ka thënë se me to do të rrethohet vendpunishtja.

Ahmeti premton se do të rikthejë sipër parkingut pemët që do të dislokohen dhe se tërë këto punë do të përfundojnë pas 15 muajsh.