LDK: Ahmeti dhe VV tentojnë vazhdimisht të bllokojnë Kuvendin e Komunës së Prishtinës Foto: Koha / arkiv

LDK: Ahmeti dhe VV tentojnë vazhdimisht të bllokojnë Kuvendin e Komunës së Prishtinës

26 shkurt 2017 11:52

Deklarimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, nënkryetarit dhe zyrës për informim, lidhur me ngjarjet e fundit përkitazi me punimet e Kuvendit të Komunës së Prishtinës janë të pavërteta, tendencioze, joetike dhe joprofesionale. Ato janë gënjeshtra rutinore dhe qasje arbitrare që kjo qeveri po manifeston ndaj subjekteve tjera shumicë politike në Kuvendin e kryeqytetit. Veprimet e tilla janë duke e ngufatur jetën politike, po e cungojnë demokracinë lokale dhe po prolongojnë zhvillimin e proceseve me interes për qytetarët e Komunës së Prishtinës.

Kështu ka thënë shefi i asamblistëve të LDK-së në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, i cili, përmes një reagimi dërguar mediave, thotë se grupi politik i LDK-së në Prishtinë shpreh shqetësimin ndaj veprimeve joligjore të kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe kabinetit të tij që cenojnë të drejtën e Kuvendit të Komunës për zhvillimin normal të mbledhjeve.

“Në vazhdën e veprimeve arbitrare, kryetari i komunës nuk ka lejuar zyrën për informim të komunës për të njoftuar mediat dhe qytetarët për pjesëmarrje në mbledhjen e kuvendit të komunës, e cila ishte planifikuar për datën 24 Shkurt 2017. Ai po ashtu ka heshtur në kërkesën e kryesuesit për përcaktimin e pikave të rendit të ditës për mbledhjen e kuvendit të komunës, duke akuzuar kryesuesin e kuvendit për mosbashkëpunim. Veç kësaj, pengimi i shërbimit civil për të përgatitur kushtet administrative dhe teknike për mbledhjet e kuvendit të komunës, përbënë manifestim të sjelljeve të dhunshme dhe instrumentalizim të administratës komunale për qëllime partiake”, thuhet në këtë reagim.

Ndërkaq, ky subjekt politik thotë se dëshiron që të informojë “drejt” qytetarët për zhvillimet e fundit në Komunën e Prishtinës.

  1. Mbledhja e kuvendit të komunës është thirrë nga kryesuesi i kuvendit duke u bazuar në dispozitat e nenit 31 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale. Konform këtij neni, Kryesuesi i Kuvendit të Komunës brenda afatit ligjor ka thirrur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës për datën 24 Shkurt 2017. Bazuar në nenin 47.1 të këtij ligji, kryesuesi ka dërguar dy herë radhazi kërkesën tek kryetari i komunës Shpend Ahmeti për përcaktimin e pikave të rendit të ditës nga ekzekutivi, por i njëjti nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.
  2. Duke marrë parasysh se kryetari dhe ekzekutivi nuk kanë ofruar bashkëpunim për përgatitjen e pikave të rendit të ditës, kryesuesi është detyruar të thërras mbledhjen e komitetit për politikë dhe financa, si trup përgjegjës për shqyrtimin paraprak të agjendës së kuvendit të komunës. Në mbledhjen e këtij komiteti nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e subjektit politik të Lëvizjes Vetevendosje në Prishtinë, me qëllim për të pamundësuar punimet e këtij Komiteti dhe Kuvendit të Komunës, mirëpo komiteti ka punuar me shumicën prezente të anëtarëve. Në mbledhje të komitetit kanë marrë pjesë shtatë anëtarë kurse katër kanë munguar.
  3. Në ditën e planifikuar për mbledhje të kuvendit, kryetari i komunës Shpend Ahmeti, në mënyrë të kundërligjshme nuk ka lejuar shërbimin profesional dhe teknik të kuvendit për të kryer detyrat administrative-teknike, përkatësisht qasjen në pajisjet teknike të zërimit dhe teleprezencës në sallën e kuvendit.
  4. Kryetari i komunës po ashtu nuk ka lejuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për monitorimin e mbledhjes së kuvendit.
  5. Shërbimi përkatës nuk ka ftuar mediet për përcjelljen e kësaj mbledhje, si dhe ka pamundësuar pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në punimet e kuvendit.
  6. Anëtarët e Kuvendit të Komunës nga Lëvizja vetëvendosje, pa arsye nuk i janë përgjigjur ftesës së kryesuesit të kuvendit për pjesëmarrje në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës. Sipas kësaj mund të vijë në shprehje zbatimi i nenit 37.2 pika e) i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit “anëtari i kuvendit të komunës pushon të jetë anëtar nëse nuk merr pjesë tre muaj rresht në mbledhjet e kuvendit të komunës pa arsye”.
  7. Anëtarët e Kuvendit të Komunës nga Lëvizja vetëvendosje pa arsye nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa. Sipas nenit 12 të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2014 për organizimin dhe funksionimin e Komiteteve të Obliguara në Komunë, të njëjtit rrezikojnë të pushojnë të jenë anëtarë nëse për tri herë radhazi nuk marrin pjesë në mbledhjet e këtij komiteti.

- Andaj, veprimet e tilla të kryetarit të komunës dhe kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas LDK-së, përbëjnë shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore si vijon:

  1. Shkelje të neneve 39, 47, 52 dhe 45 të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale.
  2. Shkelje të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2014 për organizimin dhe funksionimin e komiteteve të obliguara në Komunë;
  3. Shkelje të nenit 3 të Udhëzimit Administrativ Nr.05/2013 për transparencë në komuna;
  4. Shkelje të neneve 4.1, 4.2 dhe 7 të Udhëzimit Administrativ Nr.2012/01 për Monitorimin e Kuvendeve të Komunave përmes pajisjeve të teknologjisë informative “Teleprezencave”.

Grupi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kërkon nga të gjitha institucionet përgjegjëse, e në veçanti Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si autoritet mbikëqyrës të komunave, të kërkoj nga kryetari i komunës që:

  1. Të ndërmarr veprime konkrete për respektimin e legjislacionit të zbatueshëm për vetëqeverisje lokale;
  2. Të respektoj hierarkinë e organeve të komunës, përkatësisht normën ligjore që cilëson kuvendin e komunës si organin më të lartë;
  3. Të krijoj kushte normale për zhvillimin e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës
  4. Të ofroj bashkëpunim për përcaktimin e rendit të ditës për mbledhjet e kuvendit të komunës;
  5. Të marr pjesë në punimet e kuvendit të komunës dhe të raportoj në baza të rregullta kohore dhe çdo herë kur kërkohet nga kuvendi i komunës;
  6. Që anëtarët e kuvendit të komunës nga subjekti politik i Lëvizjes Vetëvendosje të marrin pjesë dhe të mos bojkotojnë mbledhjet e komiteteve dhe Kuvendit të Komunës. Në të kundërtën të aplikohet dispozita përkatëse ligjore për humbje të mandatit të anëtarit të kuvendit të komunës.
  7. Të caktoj anëtarët në komisionet komunale të aksionarëve të ndërmarrjeve publike;
  8. Të rezervohet nga sjelljet e dhunshme dhe asociale ndaj shërbimit civil të komunës;
  9. Të njoftoj mediat për pjesëmarrje në takimet e kuvendit;
  10. Të vëjë në funksion pajisjet teknike të zërimit në sallën e kuvendit;
  11. Të jap llogari për të gjitha të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, lidhur me shkeljet e procedurave të prokurimit që dëmtuan buxhetin në vlerën mbi 500 mijë euro, dhëniet e kundërligjshme të subvencioneve me dëm në vlerë prej 90 mijë euro, punësimet partiake, humbjet e orëve mësimore pa arsye në shkolla, dështimet në realizimin e projekteve kapitale, punësimet e 266 personave me kontratë mbi shërbime të veçanta,dështimet në planifikim, realizim dhe shpenzim të buxhetit komunal, si dhe të gjeturat e tjera në raportin e fundit.
  12. Të njoftoj kuvendin për hapat e ndërmarrë në hartimin e planit të veprimit afatshkurtër për cilësinë e ajrit (kërkesë e adresuar nga niveli qendror për komunat)
  13. Të raportoj për masat e ndërmarra për trajtimin e qenve endacak;
  14. Të raportoj në kuvend për masat e ndërmarra për menaxhimin e mbeturinave;
  15. Të raportoj në kuvend për nivelin e zbatimit të obligimeve që dalin nga agjenda evropiane;
  16. Të raportoj në kuvend për gjendjen e sigurisë në bashkësi.

dhe, siç thotë LDK e Prishtinës, "shumë çështje tjera në interes të qytetarëve të komunës së Prishtinës".

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme