Arbëri

Banorët në “Shpëtim Robaj” tash e një muaj pa ujë

Foto: Koha / ilustrim

Banorë të shtëpive e banesave në rrugën “Shpëtim Robaj” në Prishtinë tash e një muaj po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë. Sipas tyre, vetëm gjatë 4-5 orëve në ditë, kryesisht në orët e vona, po kanë ujë dhe kjo me shtypje të dobët.

Sidomos, probleme po kanë banorët e ndërtesës e njohur si “banesat e Latës” përball fushave të tenisit në Tauk Bahçe. Disa prej tyre, në deklaratë për KOHËN, kanë thënë se çdo ditë po detyrohen të kryejnë të gjitha shërbimet përmes kovave.

20 ditë më parë të njëjtit banorë ishin ankuar se po kanë telashe me furnizim me ujë, ndërsa Ujësjellësi kishte thënë se ka dëmtime në një gyp. Por banorët, duke mos dashur të deklarohen publikisht, janë shprehur se problemet nuk janë ndalur asnjëherë e se “Ujësjellësi po ka arsyetime gjithmonë”. “Sa herë po thërrasim gjithmonë thonë se jo ka prishje, jo ka telashe në sistem, jo reduktime, po e paraqesim shqetësimin tuaj, e në fund s’bëhet asgjë”, kanë thënë qytetarët.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arieta Mjeku, në një përgjigje për KOHËN, ka deklaruar se pikat e larta furnizuese mund të kenë problem kohë pas kohe në sezonin kur temperaturat janë të larta e shpenzimi i ujit rritet në pikat e ulëta.

“Një ekip i mirëmbajtjes dhe operimit janë duke bërë inspektimin e rrjetit të ujësjellësit të zonës në fjalë, pra rrugën ‘Shpëtim Robaj’. Por pikat e larta furnizuese mund të kenë problem kohë pas kohe në këtë sezon kur temperaturat janë të larta dhe shpenzimi i ujit rritet në pikat e ulëta”, ka thënë Mjeku.

Ajo tutje ka bërë të ditur se KRU “Prishtina” po planifikon që për shkak të rënies në nivelin e ujit në liqenet akumuluese, nga korriku të nis aplikimi i reduktimeve.

“Po planifikojmë që për shkak të rënies së nivelit të ujit në liqenet akumuluese, nga korriku të fillojmë me aplikimin e reduktimeve dhe se reduktimet do të jenë të fokusuara në orët e natës, atëherë kur konsumi i ujit është më i ulët”, ka deklaruar ajo.