Arbëri

OEK-u ndihmon qytetarët e Prishtinës me 200 pako ushqimore

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka dhuruar 200 pako me gjëra ushqimore për Komunën e Prishtinës, e të cilat do të shpërndahen për qytetarët që kanë nevojë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se numri i familjeve që po kërkojnë ndihmë po rritet nga dita në ditë.

"OEK-u e ka shprehur dëshirën që përmes anëtarëve të saj t'i ndihmojë qytetarët që janë në nevojë. Po mundohemi që t’i ndihmojmë njëri-tjetrit, pasi që numri i familjeve që kanë nevojë po rritet. Në Prishtinë janë 1.600 familje me asistencë sociale, vetëm nga thirrjet që kemi pranuar ditëve të fundit edhe rreth 500 familje kanë nevojë për gjëra ushqimore bazë. Intervenimi në ekonomi tashmë duhet të jetë socio-ekonomik, por duhet të jetë edhe ekonomik sepse bizneset janë motori jonë", tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se bizneset që i përfaqësojnë kanë probleme të mëdha.

"Ky është mesazh edhe simbolik edhe përmbajtjesor. Duke filluar me komunën e Prishtinës ne duam të tregojmë se po duam t’i ndihmojmë të gjitha ato familje që janë prekur nga pandemia. Është mesazh edhe për Qeverinë që të koordinohen që të veprohet shpejtë me masa. Pakot janë me gjëra bazike dhe të cilat janë nga këto kompani. Kemi startuar me 200 pako, në besojmë se kjo është simbolike, por e rëndësishme për familjet në nevojë", tha ai.