Arbëri

KRU “Prishtina” bën thirrje që të mos hidhen mbeturina në rrjetin e kanalizimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë thirrje që të mos hidhen mbeturinat në rrjetin e kanalizimit.

Sipas njoftimit për media, muajin e kaluar është intervenuar në mbi 350 raste, zhbllokime të pusetave të ujërave të zeza, pastrim i pusetave dhe vendosje të kapakëve në puseta në tërë zonën e shërbimit.

“Vetëm ditën e djeshme kanë intervenuar në 7 raste në qytetin e Prishtinës, një rast në Fushë Kosovë dhe një në Drenas. Në këtë kohë pandemie, gjithnjë në përballje kundër përhapjes së virusit COVID-19, lusim të gjithë qytetarët të kenë kujdes dhe mos të hedhin mbeturina, gjëra ushqimore të mbetura jashtë përdorimit, yndyrëra, faculeta të lagura në rrjetin e kanalizimit ( në guacën e tualetit dhe lavamanin e kuzhinës) të cilat janë të papërballueshme për një sistem të kanalizimit i cili nuk është i dedikuar për gjëra të panevojshme (të dëmshme), ngase po e dëmtojnë rrjetin e kanalizimit duke krijuar vështirësi për punëtorët tanë në zhbllokimin e tyre madje, duke u krijuar edhe telashe konsumatorëve në afërsi”, thuhet në njoftim.

Ata kanë bërë thirrje që të respektohen punëtorët dhe puna e tyre.

“Është koha të japim respektin më të madh për punëtorët e mirëmbajtjes së KRU ‘Prishtina’ sepse puna e tyre në terren sidomos në këtë periudhë me rrezikshmëri të lartë, është vërtetë e pashembullt. Gjithçka që ata po bëjnë është mënyra që ata kanë gjetur për t'u dalë në ndihmë secilit konsumatorë. Të ruajmë infrastrukturën e rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza”, thuhet tutje në njoftim.