Arbëri

Ndotja alarmante e ajrit, qytetarët nuk besojnë se institucionet po marrin masa

Shumëfish i pashëndetshëm ka qenë ajri edhe gjatë kësaj jave në kryeqytet. Niveli i ndotjes ka arritur deri në shkallën 365.

Mjegulla që qëndroi për disa ditë e ka rënduar gjendjen, sidomos të qytetarëve që kanë probleme me frymëmarrjen.

E për ndotjen e ajrit, mjekët dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në vazhdimësi kanë alarmuar se kjo po kërcënon shëndetin e popullatës.

Mjekët kanë rekomanduar qytetarët që të marrin masa individuale.

Këta të fundit vazhdojnë të mos u besojnë deklaratave të institucioneve se po marrin masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Para dy vjetësh Ministria e Mjedisit kishte thënë se ka krijuar një grup punues për të trajtuar ndotjen e ajrit përmes aktiviteteve në terren.

Në mesin e masave kjo ministri ka renditur edhe kërkesat drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës për monitorimin e lirimit të gazrave nga automjetet dhe asaj të Tregtisë dhe Industrisë për rritjen e kontrollit të cilësisë së derivateve.

MMPH-ja kishte kërkuar edhe nga komunat që, sipas kompetencave të tyre, të hartojnë plane për reduktimin e ndotjes së ajrit.

Por Ministria, që e ka përgjegjësinë kryesore për cilësinë e ajrit, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet nëse këto masa kanë dhënë ndonjë rezultat.

Organizatat që merren me mjedisin thonë se gjatë vitit 2019 nuk kanë parë veprime konkrete të institucioneve kundër ndotjes së ajrit.

Reduktimi i numrit të automjeteve në qendër të qytetit, sipas kësaj organizate, është i rëndësishëm për uljen e nivelit të ndotjes.

Komuna shpreson që shtrenjtimi i parkingjeve do të ndikojë në uljen e numrit të automjeteve që qarkullojnë nëpër qendër.