Arbëri

Pranimi teknik, peng i funksionalizimit të lokaleve te Katedralja

Për më shumë se gjashtë vjet, projekti i rrëzimit dhe ndërtimit të lokaleve të reja te Katedralja në kryeqytet ka mbetur i papërfunduar.

Që nga koha kur kishte nisur projekti i nënkalimit, që lidhte lagjen Pejton me atë Dardania, kjo hapësirë e dedikuar për lokale ka mbetur e pashfrytëzuar, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Jofunksionale tashmë kanë mbetur edhe lokalet e reja, që ishin ndërtuar pas rrënimit të atyre të vjetra.

Ka afro një vjet që lokalet në rrugën “Justiniani” janë të gatshme, por qëndrojnë të zbrazëta.

Në Ndërmarrjen Publike Banesore, thonë se pritja për pranim teknik të objekteve është shkak i vonesës.

Derisa janë në pritje, Rajmonda Ahmetaj, zëdhënëse e NPB-së, thotë se një komision është duke bërë përgatitjet për mënyrën e funksionalizimit dhe dhënies në shfrytëzim të këtyre lokaleve.

Ndërkohë, ish-shfrytëzuesit e lokaleve të mëparshme kërkojnë që NPB-ja t’i ketë parasysh, pasi ata kanë investuar në ish-lokalet e vjetra.

Ata ndjehen të lënë anash nga Komuna e Prishtinës dhe NPB-ja, por thonë se do të aplikojnë me shpresën se do të kenë përparësi.

“Paguesit e rregullt të qirasë së atëhershme do të kenë përparësi”, thonë në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Kompleksi i ri përbëhet prej më shumë se 50 lokalesh.

Ndërsa, për rreth 10 nga këto lokale, Komuna e Prishtinës është ende në kontest gjyqësor me disa ish-pronarë tokash e lokalesh.