Arbëri

Në Prishtinë ende ka shkolla që ngrohen me stufa druri

Ka 2 muaj qëkurse është lëshuar ngrohja në shumicën e shkollave në Komunën e Prishtinës.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit, një pjesë e madhe e institucioneve arsimore ka filluar për herë të parë ngrohjen me pelet. Ndërsa në pritje për këtë sistem ngrohjesh janë disa prej shkollave në fshatrat e Komunës së Prishtinës, raporton 038 në.

Megjithatë, ka shkolla që vazhdojnë të ngrohen pa sistem të ngrohjes qendrore, por me stufa e me drurë, si ajo “Ditët e Minatorit” në fshatin Kishnicë.

Vezir Bytycç, drejtori i shkollës, thotë se shkolla amë në Kishnicë ka 10 vite që vazhdon të ngrohet me drurë, ndërsa dy paralelet e ndara fizike, njëra në Shushice dhe tjetra në Shushkovc, kanë sistemin të ngrohjes me pelet.

Ai thotë se ka arritur të vërejë dallimet e sistemit ngrohës me këto lëndë djegëse. Sipas tij, mangësi e vetme e peletit është kostoja e lartë.

Ndërsa me sistem të ngrohjes por me drurë e jo me pelet, është edhe shkolla Afrim Gashi në Hajvali.

Sipas drejtorit të shkollës, Xhevat Rafuna, ngrohja me drurë është më ekologjike por ambienti brenda shkollës mirëmbahet më lehtë nëse do të kishin përdorur peletin.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se kyçja e të gjitha objekteve shkollore me ngrohje qendrore e njëherësh edhe largimi i peletit, është plan afatgjatë i komunës.

Po ashtu, Komuna e Prishtinës pret që javën e ardhshme të nënshkruajë kredinë me BERZH-in për 47 ndërtesa publike.

Mjetet do të shfrytëzohen për investimet në gjërat që kanë të bëjnë më efiçiencën dhe përmes kësaj të reduktohen shpenzimet e energjisë elektrike, por edhe shpenzimet e peletit.