Arbëri

Policia e lagjes, në funksion të rritjes së sigurisë publike

Foto: Ilustrim

Qytetarët e Kosovës gati se çdo ditë ballafaqohen me probleme të ndryshme që ndërlidhen me sigurinë e tyre publike, përfshirë edhe rastet e dhunës fizike, rastet e vjedhjeve e grabitjeve, dukuri tjera shqetësuese deri te zhurma dhe prishja e rendit e qetësisë publike. Për të ndihmuar qytetarët që t’i denoncojnë rastet shqetësuese tek organet kompetente të rendit, autoritetet kanë krijuar njësi të veçanta të njohura si Policia në Bashkësi (komunitet), në mënyrë që reagimi i organeve të rendit në ndihmë të qytetarëve të jetë sa më i shpejtë.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë, se pothuajse çdo lagje në Prishtinë, ka policinë e lagjes e cila u del në ndihmë qytetarëve për problemet ose rastet që kanë.

"Implementimi i Strategjisë së policisë në bashkësi dhe Plani i Veprimit 2017-2021, është duke u zbatuar nga niveli qendror i Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtoria e Policisë në bashkësi dhe parandalim të krimit dhe në nivel lokal nga stacionet policore (njësitë në komunitet dhe sektorët policorë përgjegjës për sektorët përkatëse) në bashkëpunim të ngushtë me forumet e sigurisë (këshillat lokalë për siguri, komitetet lokale për siguri publike dhe ekipet vepruese)”, thuhet në përgjigjen nga policia, në lidhje me funksionimin e policisë në lagje.

“Në stacionet policore janë të ndara zonat sektoriale dhe në çdo sektor janë të caktuar zyrtarë policorë të cilët janë përgjegjës për atë zonë. Të njëjtit nuk merren me raste, por ata merren vetëm me bashkëpunimin me qytetarë dhe adresimin e brengave të qytetarëve, ndërsa me rastet merren njësitet patrulluese", thuhet në përgjigjen e Policisë.

Violeta, Hasani, një banore në qendër të Prishtinës, kryetare e Komitetit lokal për siguri publike e cila njëherësh është edhe kryetare e Komitetit lokal për siguri publike, qendra në Prishtina, tha për Radion Evropa e Lirë, se deri më tani ka një bashkëpunim të duhur me autoritet e rendit. Ajo thotë se të gjitha ankesat apo problemet që qytetarët i adresojnë në këtë qendër, ato trajtohen nga organet kompetente.

"Ne kemi takime me banorët një herë në muaj, ku çdo herë Policia e Kosovës është e pranishme dhe kemi bashkëpunim të mirë. Çdo kërkesë që kanë banorët unë e adresoj në stacionin qendra, pastaj stacioni i drejtohet komunës", tha ajo.

Hasani, megjithatë tregon se jo të gjitha lagjet dhe banorët janë të informuar në lidhje me mundësinë që e kanë për bashkëpunim me policinë në komunitetin e tyre.

"Policia asnjëherë nuk i ka neglizhuar thirrjet dhe kërkesat tona. Në qendër ka adresime të shumë problemeve dhe kemi arritur t’i parandalojmë shumë prej tyre. I vetmi problem që nuk po dimë ku të adresohemi është problemi i zhurmës [muzika natën]", tha ajo.

Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se për rastet e zhurmës dhe të ngjashme, Inspektorati merr veprime qoftë kur njoftohet nga qytetarët apo kur vet has në raste të tilla.

"Ne shpeshherë kemi marrë aksione të përbashkëta me Policinë e Kosovës edhe pa pasur fare thirrje nga qytetarët, në mënyrë që t’i parandalojmë zhurmat dhe problemet e tjera. Do të thotë, kur dalim në terren bashkërisht policia e shqipton gjobën për zhurmën kurse Inspekcioni shqipton gjobë për tejkalim të orarit, në rast se ka tejkalim të orarit", tha Tahiri.

Këshillat e Sigurisë janë themeluar në të gjitha komunat e Kosovës.

Sa më shumë që të zhvillohen këshillat, sipas ekspertit të sigurisë Nuredin Ibishi, aq më e madhe është siguria dhe do të shihen rezultatet në të gjitha komunat dhe komunitetet në tërësi.

"Me realizimin e projekteve të tilla janë ndaluar dhe ndalohen aksidentet që dikur kanë qenë të shpeshta. Mandej ka të bëjë edhe me aspektin e tjetërsimit të vjedhjes së pronës, aspektet e shqetësimeve të tjera edhe për vepra penale, kundërvajtje e të tjera", tha Ibishi.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.