Arbëri

Banorët në Hajvali rrezikohen nga shtyllat e vjetra, KEDS-i premton intervenim

Nëpër një gjendje të rëndë u duhet të kalojnë rrugën banorëve të Hajvalisë në Prishtinë.

Shtyllat e vjetruara elektrike në rrugën “Dëshmorët e Gollakut” të kësaj lagjeje, po rrezikojnë jetën e banorëve të këtushëm, raporton KTV.

Derisa shumë prej këtyre shtyllave duhet të mbahen nga njëra-tjetra ose nga vetë kabllot e instaluara në to.

Banorë të tjerë fajin ua hedhin kamionëve të kompanive ndërtuese, ndërsa shtojnë se nga kjo gjendje po rrezikohet jeta e fëmijëve dhe e kalimtarëve të tjerë.

Për banorët, gjendja ka mbetur e njëjta tash e sa kohë, ndërsa pavarësisht vendosjes së shtyllave të betonit, shumë nga to nuk janë funksionale.

E për shqetësimet e tyre, banorët thonë se KEDS-i asnjëherë nuk i mori parasysh pavarësisht ankesave të bëra.

Shumë nga shtyllat aktuale në këtë lagje, banorët është dashur që t’i rregullojnë personalisht.

Për shqetësimin dhe ankesat e banorëve të lagjes Hajvalia, zyrtarë nga KEDS-i i kanë thënë KTV-së se ekipet e kësaj kompanie do të shmangin çdo rrezik të mundshëm.

“KEDS-i e ka pranuar ankesën e paraqitur përmes jush dhe i ka dërguar ekipet që të verifikojnë gjendjen. Ekipet e KEDS-it menjëherë do ta evitojnë çdo rrezik eventual që mund të jetë paraqitur në atë pjesë”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS.

Tutje, në përgjigjen e KEDS-it thuhet pas ekzaminimit të gjendjes nga ekipi i këtij institucioni, do të merren edhe masa për rregullimin e problemit.