Arbëri

Në shkollat e Prishtinës do të mbahet fushata “Ndal Trafikimin me Qenie Njerëzore"

Descriptive Text

Dita Evropiane kundër Trafikimit me Njerëz shënoi edhe fillimin e fushatës për vetëdijesimin e nxënësve të shkollave të kryeqytetit të Kosovës për të gjitha aspektet e dukurisë së trafikimit me njerëz, bën të ditur Komuna e Prishtinës përmes një postimi në Facebook.

Kategoria më e ekspozuar ndaj kësaj forme të krimit të organizuar janë fëmijët dhe gratë, duke qenë edhe kategoria më e cenueshme e shoqërisë.

Prandaj lufta për parandalimin e trafikimit me njerëz duhet të jetë i vazhdueshëm, fillimisht duke vetëdijesuar dhe informuar drejt të gjitha shtresat e shoqërisë, në veçanti fëmijët.

“Fushata ‘Ndal Trafikimin me Qenie Njerëzore’ do të bëhet në formë të ligjëratave nëpër shkolla përgjatë një muaji dhe po mbështetet nga Drejtoria e Arsimit dhe Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore”, thuhet në postimin e Komunës së Prishtinës.

Dukuria e trafikimit me qenie njerëzore është duke u luftuar në nivel global duke mos e përjashtuar edhe Kosovën.

Prandaj, informimi dhe vetëdijesimi i të gjitha shtresave shoqërore mbi shenjat, rreziqet dhe pasojat e trafikimit me njerëz mundëson edhe gjithëpërfshirjen dhe pjesëmarrjen aktive të të gjithëve në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie negative.