Arbëri

Komuna e Prishtinës nis fushatë ndërgjegjësimi për kancerin në gji

Foto: Driton Paçarada / Koha

Komuna e Prishtinës në kuadër të Muajit Rozë që simbolizon ndërgjegjësimin kundër kancerit në gji, ka paralajmëruar se do të fillojnë fushatën dhe ligjëratat sensibilizuese “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”.

“Nis sot #TetoriRozë, muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, për të rritur ndërgjegjësimin se beteja me këtë sëmundje mund të fitohet! Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë për Shëndetësi, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Njësisë për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, do të fillojnë fushatën dhe ligjëratat sensibilizuese ‘Zbulimi i hershëm – Mbijetesë’”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit deri me 7 tetor do të ofrohen shërbime falas të mamografisë së gjirit dhe ligjërata vetëdijesuse për gratë dhe vajzat e komuniteteve të ndryshme sipas këtij orari:

1. QKMF – 01.10.19, ora 08:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Besi;
2. QKMF – 02.10.19, ora 08:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Bardhosh;
3. QMF Hajvali – 02.10.19, ora 11:00-12:00 - ligjërata informuese dhe bashkëbisedim për gratë e fshatrave Hajvali dhe Mramor;
4. QKMF – 03.10.19, ora 08:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Hajvali;
5. QKMF – 04.10.19, ora 08:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Mramor;
6. AMF – 04.10.19, ora 11:00 – 12:30 – ligjëratë informuese për gratë e fshatit Keqekollë;
7. QKMF – 07.10.19, ora 08:00-12:00 – ekzaminim përmes Mamografit Mobil për gratë nga fshati Keqekollë;

Sipas njoftimit, një nga tetë gra diagnostikohet gjatë jetës me kancer të gjirit. Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në gratë, ai mund të paraqitet në çdo moshë, por shumica e rasteve janë tek gratë në moshë mbi 50 vjeç.

“Mbrojtja më e mirë është zbulimi i hershëm, e mamografia është një metodë e përshtatshme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në një mamografi bëhen të dukshme edhe tumoret më të vegjël shumë më parë se të jenë të ndjeshëm me të prekur ose të njihen nga simptomat e tjera. Vetëm gjysmë ore nga koha jote, të shpëton jetën”, thuhet tutje në njoftim.