Arbëri

Linjat private të autobusëve ndjehen të anashkaluar nga Komuna

Descriptive Text

Përfaqësuesi i linjave private të autobusëve në kryeqytet, Izet Smajli, ka thënë se Komuna e Prishtinës po e favorizon Trafikun Urban, duke i diskriminuar ata.

Ai ka thënë se kanë 7 muaj që nuk u janë vazhduar kontratat me arsyetimin e Komunës për riorganizim të transportit publik. Ndërsa është ankuar se edhe kontratat paraprake nuk kanë qenë më të gjata se 6 muaj.

Sipas Smajlit, Komuna që nga viti 2010, u ka dhënë premtime për kontrata afatgjate pas reformimit në transportin publik, por se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Ai ka shtuar se mungesa e kontratave afatgjate u ka pamundësuar blerjen e autobusëve të rinj.

“Nuk po na vazhdohen kontratat më shumë se 6 muaj dhe me këso kontrata nuk mund të marrim kredi për blerjen e autobusëve të rinj”, ka thënë Izet Smajli në “038” të KTV-së.

Megjithatë, ai ka thënë se edhe kompanitë private kanë autobusë të rinj të standardit EURO 4, duke marrë shembull autobusët e linjës 3A dhe ata të “24 yjeve”.

Ndryshimi i linjës 1, e cila me ardhjen e autobusëve të rinj të “Trafikut Urban” futet në qytet duke kaluar prapa Teatrit, sipas Smajlit, dëshmon se komuna po e favorizon Trafikun Urban, karshi kompanive private.