Arbëri

Pronarët e kioskave në Prishtinë do të protestojnë në rast se nuk ndryshohen kriteret për shfrytëzimin e tyre

Shaip Murturi ka 40 vjet që punon në këtë kioskë. Në vitin 2011, i ka skaduar afati i kontratës për shfrytëzimin e saj.

Ai thotë se nuk ka kushte të aplikojë në ankandin e Komunës për shfrytëzimin e kioskave, pasi me këto kritere të vëna nga kjo e fundit, ata përjashtohen nga ankandi dhe kështu shkelen të drejtat e tyre për pjesëmarrje, raporton KTV.

Ai shton se konkursi, me këto kritere, duhet të anulohet.

Lëvizja Vetëvendosje insiston se me kriteret e vëna, Komuna po i favorizon bizneset e mëdha.

Egon Azemi, asamblist i kësaj partie në Komunën e Prishtinës, ka thënë se as komisioni i formuar nga Kuvendi komunal nuk është legjitim.

Megjithatë, në Komunën e Prishtinës thonë se të gjitha kriteret janë të bazuara në ligj.

Por, edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka nxjerrë një vendim që i rekomandon Komisionit për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme në Komunën e Prishtinës, që të shmangë kufizimet e konkurrencës në treg, si dhe dhënien e mundësisë të gjitha ndërmarrjeve, duke mos i përjashtuar për arsye të kufizimeve financiare dhe domosdoshmërinë për të poseduar rrjetet e dyqaneve.

Përndryshe, pronarët e kioskave do të protestojnë sërish.