Arbëri

INPO: Prishtina sërish dështon ta miratojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve

Foto: Koha

Organizata INPO reagon ashpër ndaj, siç thonë, dështimeve dhe papërgjegjshmërisë së Kryetarit të Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, në zbatimin e obligimeve ligjore për planifikimin e politikave fiskale dhe financiare të komunës.

“Komuna e Prishtinës edhe këtë vit, ka dështuar të hartojë dhe të miratojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2020-2022. Madje deri më sot komuna nuk ka asnjë draft të këtij dokumenti. Këto dështime të përvitshme të kryetarit shpërfaqin mungesën e kompetencës profesionale të zyrtarëve komunal të zgjedhur dhe të emëruar, për të planifikuar politikat fiskale dhe financiare të komunës dhe për të përcaktuar objektivat zhvillimore për tri (3) vitet e ardhshme, ashtu sikur përcaktohet më Ligjin për Financat Publike dhe Përgjegjësitë dhe Qarkoren Buxhetore 2020/01 të Ministrisë së Financave. Ekzekutivi i Prishtinës e ka shndërruar në zakon injorimin obligimeve ligjore në raport me hartimin dhe miratimin e KASH. Edhe në vitet e kaluara komuna ka vepruar në të njëjtën mënyrë duke mos përfillur ligjet në fuqi dhe duke e injoruar në tërësi Kuvendin Komunal dhe qytetarët. Gjithashtu, Kuvendi ka dështuar të ushtrojë kompetencat dhe mandatin e tij ligjor për të mbikëqyrur ekzkutivin dhe për të kërkuar llogaridhënie për këto dështime të njëpasnjëshme”, thuhet në reagim.

INPO ia rikujton kryetarit të Komunës, se në vitin 2018 nuk ka arritur ta shpenzoj as gjysmën e buxhetit të planifikuar për investime kapitale, me çka dëshmon paaftësinë e komunës për t`i planifikuar dhe realizuar projektet kapitale brenda vitit buxhetor. Po ashtu, INPO shpreh shqetësim për mos zbatimin e parimeve të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në hartimin e këtij dokumenti.

“Sipas ligjeve në fuqi, komuna është dashur që gjatë muajit qershor të mbajë takime publike me qytetarë dhe grupe të tjera të interesit për të marrë komentet dhe propozimet e tyre rreth këtij dokumenti. Madje sipas UA (MAPL) NR. 06/2018 për Standardet Minimale të Konsultimit Publik në Komuna, Kuvendi i komunës refuzon aprovimin e projekt propozimeve në rastet kur nuk janë përmbushur standardet minimale të konsultimit publik sipas kritereve të përcaktuara në këtë udhëzim administrativ”, thuhet tutje në reagim.

INPO vlerëson se kjo papërgjegjshmëri e organeve komunale cenon rëndë sundimin e ligjit në komunë dhe zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë, ndaj kërkon nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që t`i ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e ligjeve. Gjithashtu, kërkojmë nga përfaqësuesit e organeve komunale që t`i përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre ligjore për përfaqësim të denjë të interesave të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.