Arbëri

Vonesat në asfaltim të rrugës “Robert Doll” në Prishtinë detyrojnë banorët të protestojnë

Zgjatja e punimeve për asfaltimin e rrugës “Robert Doll” në Prishtinë, ka detyruar banorët e lagjes “Pejton” të dalin në protestë.

Ata tentuan të martën që ta bllokojnë qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë, por pas diskutimeve me Policinë, u tërhoqën, raporton KTV.

Me këtë protestë ata u ankuan se gjatë kohës së punimeve po përballen me sasi të mëdha pluhuri.

Komuna ka planifikuar që rruga të asfaltohej javën e kaluar, mirëpo sipas drejtorit për Investime Kapitale, kjo është vonuar për shkak të ndërrimit të gypit të ujësjellësit të vjetër mbi 50 vjet.

Me kërkesë të komunës, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka nisur punimet për ndërrimin e gypit.

Si pasojë e punimeve, që nga e mërkura, një pjesë e madhe e lagjes “Dardania” ka mbetur pa ujë nga ora nëntë deri në 17 pasdite.

Ndërkohë, komuna ka nisur rregullimin e disa rrugëve, por pak prej tyre janë përfunduar.

Rruga “Ukshin Hoti”, sipas komunës, nuk po mund të asfaltohet derisa të jetë e gatshme rruga me të cilën lidhet, ajo “Robert Doll”.

Me vonesë punimet kanë nisur edhe në rrugën “Mikel Marubi” në lagjen Vneshta.

Ndërsa, nuk ka vazhduar ende asfaltimi i rrugës “Holgen Petersen”, ku komuna i ndërpreu punimet për shkak të mosrespektimit të kontratës nga ana e kompanisë.