Arbëri

Komuna e Prishtinës ashpërson kriteret për regjistrim të nxënësve në klasë të parë

Ka nisur regjistrimi i fëmijëve për vitin e ardhshëm shkollor.

Kërkesat më të mëdha, qysh në ditën e parë të regjistrimit të fëmijëve në parashkollor dhe klasë të parë, kanë qenë në shkollën “Ismail Qemaili”, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Për të qenë nxënës i shkollës, vështirësi regjistrimi kanë ata që deklarojnë se jetojnë më qira.

Përveç kontratës me qiradhënësin, që duhet të jetë e noterizuar, ata duhet të paraqesin edhe dokumentin e pagesës së tatimit të qirasë nga qiradhënësi.

Vetëm 80 fëmijë në parashkollor do të pranohen në shkollën model “Qamil Batalli”, shkollë kjo tjetër me kërkesa të mëdha.

Këtu nuk do të pranohet asnjë fëmijë në klasë të parë.

E para e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala, ka thënë se rreth 5 mijë nxënës pritet të ulen për herë të parë në banka shkollore, në shtator të këtij viti.

Ajo ka thënë se kushtet e regjistrimit janë ashpërsuar për shkak të manipulimit me adresa nëpër lagje të ndryshme e edhe nga komuna të tjera.

Regjistrimi i fëmijëve në parashkollor dhe klasë të parë do të vazhdojë deri në fillim të qershorit.