Arbëri

Këshilli i Prindërve në Prishtinë sqaron se pjesëmarrja në garat e diturisë është me vetdëshirë

Descriptive Text

Këshilli i Prindërve i Prishtinës përmes një sqarimi për prindërit, thotë se ka pranuar kërkesa dhe ankesa të shumta të prindërve që janë kundër Garës së Diturisë (në formë të testimit), të planifikuar të zhvillohet më 11 maj 2019.

Kujtojmë se Këshilli i prindërve të Prishtinës ka dalë me qëndrim se mbajtja e garave të diturisë, që është planifikuar të mbahen të shtunën në disa lëndë, është ngarkesë e paarsyeshme, me efekte negative për fëmijët dhe stres i tepërt që nuk justifikon mjetin e as qëllimin, raporton Koha Ditore.

LEXO EDHE: Prindërit në Prishtinë kundërshtojnë mbajtjen e garave të diturisë

Këto gara janë organizuar nga koordinatori nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, por të gjithë punën rreth përgatitjes dhe mbajtjes së tyre janë ngarkuar ta kryejnë mësuesit dhe kujdestarët e klasave të niveleve të ndryshme të arsimit parauniversitar, por Këshilli i Prindërve thotë se Hoti nuk është sqaruar mirë.

“Ndjehemi të obliguar të bëjmë një sqarim për të gjithë prindërit, i cili sqarim qartësisht ka munguar nga organizatori (Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport) por edhe nga drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit (me aq sa kemi informacion). I sqarojmë të gjithë prindërit se pjesëmarrja e fëmijëve në këtë garë nuk është e obligueshme! Në të mund të marrin pjesë fëmijët me vetdëshirë. Këshillojmë të gjithë prindërit, që në konsultim me fëmijët e tyre, të vendosin për pjesëmarrjen ose jo në garë”, thuhet në reagim.

Tutje, thuhet se “Ne vazhdojmë t’i përmbahemi qëndrimit tonë se gara si e tillë (në ditë pushimi, me 120 minuta dhe katër lëndë për fëmijë prej 7-vjeç) nuk është aspak e arsyeshme dhe e pranueshme”.