Arbëri

Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë pa kurrfarë statusi e përplot me mbeturina

Kanë kaluar 20 vjet që nga rënia e dëshmorëve të Prishtinës, ndërsa gjendja e memorialit të varrezave që ndodhet në Velani lë për të dëshiruar.

Aty, disa metra më poshtë varrit të presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, prehen eshtrat e dëshmorëve të qytetit, të cilave më pas iu bashkuan edhe varrezat e veteranëve e të disa qytetarëve tjerë. E gjendja e këtyre varrezave nuk është e mirë, mbeturina të ndryshme ndodhen rreth tyre, e madje as nuk duken njësoj.

Kjo ka bërë që qytetarët, por edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të shprehin pakënaqësitë e tyre. E pavarësisht projekteve të përfolura për rregullimin e kësaj zone, ende nuk është bërë asgjë.

I pakënaqur me gjendjen e varrezave në këtë hapësirë është edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë për KosovaPress se problemi kryesor i atyre varrezave nuk qëndron tek gjendja e tyre në të cilën ndodhen, porse tek mungesa e një statusi.

“Varrezat atje nuk kanë kurrfarë statusi dhe ky është problemi kryesor. Pra, nuk po flasim vetëm për varrezat e dëshmorëve, por po flasim edhe për disa varrime dhe ri-varrime që kanë ndodhur në pjesën lart. Kemi një letër nga Avokati i Popullit për shkak të ankesës së banorëve të lagjes, që ajo të mos kthehet tash në një varrezë permanente ku do të vazhdojnë të varrosen edhe të tjerë. Pra, kjo është e para që mendoj se duhet ta zgjidhim në mënyrë politike, bashkë me Qeverinë”, tha Ahmeti.

Ahmeti thotë se ekziston një plan i Ministrisë së Mjedisit, por i cili nuk është zbatuar. Për këtë, ai bën të ditur se ka biseduar edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.

Varrezat që janë në kompetencë të plotë të komunës së Prishtinës, Ahmeti thotë se do të vazhdojnë t’i rregullojnë, sikurse janë duke bërë me varrezat e Marecit të Vitisë.

“Duhet t’i japim së pari një status ligjor, aty apo diku tjetër, t’i rregullojmë pastaj. Të bëjmë ndarjen e duhur sepse në një vend ka varreza që janë kujdes më mirë, ngjitur me to ka varreza që nuk kanë kurrfarë përkujdesje, pastaj ka dëshmorë me veteran, dhe ka persona që kanë vdekur në Kumanovë në këtë incidentin e fundit”, thotë Ahmeti.

Edhe drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memorialë, Bislim Zogaj, jep një propozim konkret për të zgjidhur këtë çështje.

Për këtë, Zogaj ka kërkuar nga komisioni Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor që të sigurojë një hapësirë për të vënë në jetë projektin e ideuar.

“Në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, mund të bëjmë një riorganizim të atij memoriali, sepse në qoftë se vazhdojmë kështu, aty po varrosen veteranët kohë pas kohe, pa e pyetur askënd dhe ku po duan. Kështu që unë mendoj se aty duhet të bëhet një riorganizim dhe veteranët të hiqen prej aty dhe ta bëjmë një projekt që do të ishte më madhështor, dhe në të njëjtën kohë, të mos ishte memorial i varrezave, por memorial i krenarisë”, tha Zogaj.

Kurse kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka folur për projektin e ideuar kaherë të kësaj shoqate në bashkëpunim me shtabin e përgjithshëm të TMK-së, se si do të duhej të dukej sipas tyre varri i një dëshmori.

“Kemi pas ardhur në përfundim që kudo që ndërtohen varrezat e dëshmorëve ta kenë një material, një pamje dhe të njëjtën legjendë. Me këtë kemi dashur të tregojmë që lufta e UÇK-së nuk është bërë për të çliruar një lagje, katund apo një regjion, por është bërë luftë për të çliruar këtë pjesë të atdheut... 2:20 Besoj se do të ishte nderi më i madh sikur të respektohet ai projekt që e kemi bërë na, që çdo kund varrezat e dëshmorëve ta kenë një pamje të njëjtë”, u shpreh ai.

Gani Krasniqi, baba i dëshmorit Labinot Krasniqi, ka ardhur tek varrezat e dëshmorëve në Velani, ku thotë se varrezat aty nuk janë aspak në gjendje të mirë.

“Këtu në radhë të parë kemi jo sistemim, mungon dora e shtetit, për çka edhe ranë dëshmorët. 2:29 Megjithatë, ne mbesim me shpresë, duke kërkuar edhe nga institucionet që të vihet dora e institucioneve dhe të jetë trajtimi i dinjitetshëm dhe meritor”, tha ai.

Ndryshe, ditë më parë, komuna e Prishtinës ka shënuar edhe Ditën e Dëshmorëve të qytetit, ditë kjo që i gjeti në gjendje jo të mirë këto varreza, ani pse u shënua 20 vjetori i rënies së tyre.