Arbëri

Abrashi: Prishtina kurrë s’ka qenë më keq

Foto: Koha

Komuna e Prishtinës nën udhëheqjen e Shpend Ahmetit, ka degraduar.

Kështu është shprehur Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili në një prononcim për televizionin publik, theksoi se gjendja aktuale në qeverisjen e Prishtinës është kaotike.

“Jemi dëshmitarë se në çfarë gjendje është Prishtina. Viti 2018 karakterizohet me një mbetje maksimale të fondeve publike, rreth 25 milionë euro nuk janë shpenzuar në Prishtinë, është gjë e keqe për Prishtinën dhe lajm i keq, kur sot dihet se nevojat e qytetarëve të Prishtinës janë të mëdha”, tha Abrashi.

Sipas tij kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti po merret me detyra shtesë e jo për atë që është zgjedhur, për të udhëhequr me Prishtinën.

“As koalicioni nuk po funksionon si duhet në Komunën e Prishtinës. Vetëm vullneti i mirë i punëtorëve të administratës në Komunën e Prishtinës po i shtyn përpara proceset. Vendimmarrje politike për të shtyrë përpara procese të mëdha politike nuk po ndodhin”, tha ai.

Përpos humbjes së 25 milionë eurove, Abrashi thotë se ka dështime edhe tjera në qeverisjen komunale të kryeqytetit.

“Nuk ka ndërtim të rrugëve, të Spitalit, nuk janë ndërtuar ato 5 shkollat e premtuara as Rruga ‘A’, nuk është kryer, ka pasur ndërtime pa leje në Veternik, Hajvali, në zonën e mbrojtur në Gërmi, pra me një fjalë ka pasur mungesë efikasiteti në secilin sektor. As Qendrat e Mjekësisë Familjare nuk kanë punuar vikendeve, përkundër shumë kërkesave të qytetarëve”, tha ai.

Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili ka qenë edhe kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e fundit, tha se edhe pse është miratuar Ligji për Prishtinën, nuk po shihen rezultatet e tij.

“Edhe pse është rritur buxheti i komunës me Ligjin për Prishtinën, mbetjet financiare janë edhe më të mëdha. Prishtina kurrë nuk ka qenë më keq”, potencoi ai.