Arbëri

Komuna ka dështuar të gjejë me kohë zëvendësim për mësuesen që ka shkuar në pushim të lehonisë

27 nxënës të klasës së parë në shkollën “Dardania” në Prishtinë për një javë nuk kanë mundur ta zhvillojnë mësimin normalisht.

Për tërë këto ditë, ata kanë mbetur pa mësuese. Nga janari, mësuesja e tyre Arjeta Likaj, ka shkuar në pushim të lehonisë dhe për të nuk është gjetur zëvendësim.

Sipas prindërve, mësimi është zhvilluar herë pas here nga mësimdhënës të tjerë, të cilët nuk kanë qëndruar me fëmijët gjatë gjithë orarit të mësimit, raporton KTV.

Të mllefosur me situatën, të martën prindërit vendosën të mos i lënë fëmijët të hynë në shkollë derisa të vinte mësuesja zëvendësuese, ashtu siç u është premtuar.

Mësuesja zëvendësuese, Luljeta Gashi, erdhi 30 minuta pasi filloi mësimi, ç’gjë bëri që prindërit t’i lejojnë fëmijët të hyjnë në klasa.

Në mungesë të mësueses, prindërit thonë se fëmijët e tyre nuk kanë qenë të sigurt në klasë.

Drejtori i shkollës, Isak Bregaj, nuk ka pranuar të flasë para kamerës, por prapa saj ka thënë se e ka njoftuar me kohë komunën për pushimin e mësueses Lika.

“Kohavisioni” ka provuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Arsimit, Jonuz Salihaj, rreth arsyeve pse zëvendësimi nuk është bërë me kohë, por ai ka qenë i paqasshëm gjatë ditës.