Arbëri

“Trafiku Urban” me kufizime financiare, shkaku i drejtorit të kontestuar

Prej afro dy muajsh ndërmarrja “Trafiku Urban” është me xhirollogari të bllokuar nga ana e Bordit.

i ndërmarrjes ka refuzuar Halil Mustafën në pozitën e drejtorit ekzekutiv, ndaj ka aplikuar këtë masë, e cila ka shkaktuar probleme të mëdha në menaxhim, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mustafa ka thënë se llogaria është bllokuar që nga koha kur Bordi ka sjellë vendim për shkarkimin e tij, para afro dy muajsh, por këtë vendim nuk e njeh as ai vetë dhe as punëtorët e ndërmarrjes, për shkak se Bordi cilësohet organ i paligjshëm, sepse është zgjedhur po ashtu nga organi tjetër i paligjshëm - Komisioni i aksionarëve.

“Unë jam drejtor i ligjshëm, sepse jam zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe vendimi për shkarkim është i paligjshëm. Megjithatë, pas këtij vendimi Bordi e ka bllokuar xhirollogarinë e ndërmarrjes”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij bllokimi i llogarisë po e pengon mbarëvajtjen e punës së ndërmarrjes, pasi që nuk mund të ekzekutohen pagesa ditore ndaj furnitorëve dhe as mbulimi i nevojave ditore me derivate për autobusët e linjave të “Trafikut “Urban”. Për këtë shkak ndërmarrja po furnizohet me derivate në baza ditore dhe në sasi shumë të vogla, shkaku i bllokimit të xhirollogarisë.

Ai ka thënë se Bordi e ka bllokuar xhirollogarinë, duke ndërruar pronarin e biznesit, dhe tani në llogari ka qasje vetëm shefi i financave.

“Unë kam mandat edhe një muaj e gjysmë. Dhe pastaj është Komuna dhe punëtorët ata që vendosin nëse unë do të jem edhe një mandat ose jo. Unë jam i gatshëm të pranoj edhe një mandat, duke u bazuar në atë se e kam sjellë ndërmarrjen në gjendje më të mirë, kam rritur pagat dhe kam punësuar staf të ri përmes konkursit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka theksuar se arsyetimi që ka dhënë Bordi për shkarkimin tij është i paqëndrueshëm.

“Arsyetimi se nuk i kam krijuar kushte të punës Bordit është i paqëndrueshëm, sepse Bordi është shef i imi, jo unë i tyre, pra ata duhet të më krijojnë kushte për punë mua, e jo unë atyre”, ka thënë Mustafa.

Por, njëri nga anëtarët e këtij Bordi, Bashkim Ibrahimi, ka thënë për gazetën se nuk është e vërtetë se xhirollogaria e “Trafikut Urban” është e bllokuar.

“Kjo është dezinformatë. Sepse ne i kemi dhënë autorizimin drejtorit të financave që t’i ekzekutojë pagat e punëtorëve dhe po ashtu edhe për çdo kontratë financiare për ndërmarrjen ta nënshkruajë dhe ta ekzekutojë. Kurdo që ai e ka vullnetin ta bëjë këtë, ne jemi të gatshëm t’i japim autorizim për të gjitha”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se ndërmarrja nuk ka nevojë të blejë derivate në mënyrë private dhe të bëjë keqpërdorime të mundshme. “Po supozoj se mund të bëhen keqpërdorime, sepse nuk e di saktë”, ka thënë Ibrahimi.

Aty është i shkarkuar vetëm drejtori i ndërmarrjes dhe vetëm ai nuk ka autorizim që të kryejë veprime ekzekutive, ka thënë Ibrahimi. Ndryshe, sipas tij, shefi i financave i ka të gjitha autorizimet për çështje financiare të ndërmarrjes.

Por Ramush Sadiku, shef i financave në “Trafikun Urban”, nuk është deklaruar nëse ai është i lirë të ketë qasje në financat e ndërmarrjes, siç ka thënë Ibrahimi. Sadiku nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës, megjithëse ato i janë drejtuar edhe përmes SMS-it në celularin e tij privat.

Zyrtarë të Komunës ndërkaq kanë thënë se pas kompletimit të Komisionit të aksionarëve situata në ndërmarrje do të ndryshojë.

Erzen Vraniqi, zyrtar për media në Komunën e Prishtinës, ka thënë se Kuvendi Komunal tashmë ka zgjedhur edhe aksionarin e dytë të ndërmarrjes “Trafiku Urban”, dhe së shpejti edhe kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, do ta emërojë aksionarin e tretë të kësaj ndërmarrjeje.

Pastaj nevojitet një periudhe dyjavore derisa Ministria e Zhvillimit Ekonomik ta aprovojë Komisionin aksionar, dhe pas kësaj ata e marrin në dorë situatën në atë ndërmarrje, ka thënë Vraniqi.

“Ne shpresojmë që me kompletimin e Komisionit të aksionarëve ky do të marrë hapa në të mirë të ndërmarrjes ‘Trafiku Urban’ dhe përfundimisht do të bien poshtë të gjitha aktet e njëanshme të deritanishme, të nxitura nga interesa grupore apo partiake”, ka thënë Vraniqi.