Arbëri

Ngricat në trotuare rrezikojnë banorët e Prishtinës

Descriptive Text

Moslargimi i borës dhe krijimi i ngricave në trotuaret e rrugëve të Prishtinës po rrezikon qytetarët nga ndonjë lëndim i mundshëm.

Të paktën kështu thonë vet ata. Tashmë po bëhen dy javë kur Berat Azemi, banor i lagjes “Tophane”, ka thyer gishtin për shkak të rrëshqitjes, pikërisht në trotuaret e lagjes së tij.

Ai për KosovaPress shprehet se krejt kjo ka ndodhur si pasojë e mospastrimit të kësaj rruge nga organet komunale.

Në rrugën “Meto Bajraktari”, sipas tij, asnjëherë askush nuk ka ardhur për të larguar borën e rënë.

“Njerëzit po kanë probleme të kalojnë këndej, veturat po rrëshqasin. Nuk kanë ardhur të pastrojnë asnjëherë. Unë e kam thyer gishtin si pasojë e ngricave, kam rrëshqitur, e kam në gips”, u shpreh ai.

Më i ashpër ndaj Komunës së Prishtinës, shprehet banori i rrugës “Bajram Kelmendi”, Ekrem Gashi.

Ai thotë se në lagjen e tij nuk ka asnjë zgjidhje ku të ecë përveç në rrugë bashkë me veturat.

Siç thotë banori, trotuaret përveç që janë me borë, ato po zaptohen dhe nga veturat e shumta, e për këtë fajtor kryesor e lë komunën e Prishtinës.

“Kjo është përgjegjësi e komunës, ata vet duhet të jenë ata që duhet t’i pastrojnë këto rrugë, megjithëse është e vështirë. S’ka trotuare, s’ka asgjë, faji kryesor mbetët mbi komunën, vërtetë është problem”, tha banori Gashi.

Ndërsa, banorja tjetër te rruga “Afrim Hoxha”, Sherimane Dushi, thotë se po frikohen të qarkullojnë lirshëm tek trotuaret e lagjes së saj.

“Jemi plakë, po frikohemi, s’po na punojnë as duart as këmbët. Komuna, shteti, këta janë ata që mund të na ndihmojnë, që t’i pastrojnë trotuaret”, tha ajo.

Ecja në trotuare për Bajram Dreshajn është e pamundur. Ai ka ankesa të mëdha, jo vetëm për komunën, por dhe për Policinë e Kosovës, që sipas tij, asnjëherë nuk i ka larguar veturat për të liruar qytetarët të qarkullojnë lirshëm.

“Jo vetëm bora, por dhe pa borë, kalimi për këmbësorë është i vështirësuar për shkak të parkimit të automjeteve në trotuare. Vlen të theksohet së është një neglizhencë e patrullës së policisë së trafikut, të cilët shumë rrallë veprojnë, vetëm në disa aksidente siç kishte qenë një ditë këtu, isha dhe unë prezent, përndryshe asnjëherë nuk i largojnë automjetet nga trotuaret”, tha ai

Përveç këtyre rrugëve, gjendja e njëjtë është dhe te rruga “Hamëz Jashari” dhe “Xhavit Haziri”, ku ngricat e krijuara po e vështirësojnë qarkullimin andej.

Përkundër insistimit të KosovaPress-it, zëdhënësit e komunës së Prishtinës kanë qenë të paqasshëm për t’u prononcuar mbi këtë çështje.