Arbëri

Shtylla elektrike rrezikon nxënësit e shkollës “Pavarësia” në Prishtinë

Një shtyllë e rrjetit elektrik ka rrezikuar kalimtarët, kryesisht nxënësit e shkollës “Pavarësia”, pasi gjatë ditës së sotme është rrëzuar pothuajse tërësisht për toke.

Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë janë ankuar në Koha.net se shtylla ka qëndruar në atë gjendje për rreth 3 orë. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe Policia e Kosovës që kishte dalë në vend të ngjarjes.

Image

“Jemi këtu për rreth 3 orë, dhe megjithë njoftimin që i është bërë KEDS-it, ende s’kanë ardhur për të intervenuar”, ka thënë një polic që ishte në vendngjarje, raporton Koha.net.

Por, Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, në një prononcim për Koha.net, ka treguar se ekipi intervenues ka dalë në vend të ngjarjes dhe po merret me rastin.

Image

Ai ka thënë se nuk e di nëse problemi është sanuar ende, mirëpo ekipi është dërguar për intervenim.

KEDS, përmes një komunikate për media, ka thënë se është i mobilizuar komplet për shkak të motit të lig. Në kuadër të kësaj, do të shtohen edhe 50 punëtorë që merren me prishjet në terren, dhe tashmë do të jenë 300 sish.

“Pra, ekipeve për sanim të prishjeve do t’iu shtohen edhe ato të mirëmbajtjes, duke përfshirë edhe inxhinjerët. Kjo është bërë për t’i evidentuar dhe evituar prishjet eventuale në kohën më të shkurtër të mundshme”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.

Image

Ekipet e KEDS-it, thuhet në komunikatë, do të jenë në dispozicion gjatë 24 orëve të ditës, 7 ditë të javës në mënyrë që qytetarët të kenë furnizim sa më të mirë me energji elektrike në këto ditë të ftohta dhe me reshje nëpër të cilat po kalon vendi.