Arbëri

Pse e anuluan protestën punëtorët e Pallatit të Rinisë

Punëtorët e Pallatit të Rinisë në Prishtinë kanë anuluar protestën e sotme, e paralajmëruar se do të mbahej për shkak që nuk kanë marrë paga tash e 3 muaj, raporton KTV.

Sindikata e Punëtorëve tha se anuluan protestën meqë u morën vesh me komunën që pagesa të kryhet brenda dy ditësh.

Njëqind e katër punëtorët e Pallatit të Rinisë në Prishtinë nuk kanë marrë paga qe tre muaj.

Derisa kanë hyrë në muajin e katërt të punës dhe nuk po paguhen, janë detyruar të thërrasin protestë.

Por, në kohën e mbajtjes së protestës, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, Enver Musiqi, i njoftoi gazetarët se protesta është anuluar, pasi kanë marrë premtime nga komuna se pagat do t’u paguhen brenda dy ditësh.

Punëtorët nuk kanë marrë pagat për muajt shtator, tetor dhe nëntor.

Ata thonë se me këtë punë që bëjnë mbajnë familjet, derisa kërkojnë që të realizohen premtimet për kryerjen e pagesave.

Punëtorët kanë paralajmëruar bllokim të Pallatit të Rinisë, nëse nuk marrin pagat.

KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim nga komuna, por zëdhënësit e saj nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike.

Në shtator të këtij viti, Agjencia Kosovare e Privatizimit zyrtarisht ia ka kaluar Pallatin e Rininë nën menaxhim komunës së Prishtinës.

Për këto vonesa, Komuna vazhdimisht është arsyetuar se ka pasur probleme me regjistrimin e ndërmarrjes, si dhe me xhirollogaritë bankare.