Arbëri

Prishtina në kërkim të dëshmive se “Shtëpia e Gurit” në Brezovicë është e saj

Shtëpia e Gurit në Brezovicë, është shfrytëzuar nga Komuna e Prishtinës për t’ua mësuar kursin e skijimit nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Mirëpo, ky objekt ka mbetur i papërdorshëm pasi është në gjendje të rëndë infrastrukturore.

Me të marrë pushtetin, Ahmeti, duke u bazuar në dyshimet për keqpërdorime nga shkollat në organizim të këtyre pushimeve i ndaloi ato tërësisht.

E derisa “Sport Marketingun” e mori nën udhëheqje AKR-ja, kjo e fundit premtoi se do të nisë me kursin e skijimit.

Por, gjërat në terren kanë ndryshuar. Kur komunarët shkuan për të investuar në objekt, ata nuk u lejuan të hyjnë brenda. Komuna e Shtërpcës pretendon se objekti është i saj.

Shoqata e Bjeshkatarëve, e cila gjithashtu pretendon se është pronare e objektit, ka paditur në gjykatë “Sport Marketingun”. Kjo e fundit ka thënë në një përgjigje me shkrim se padia është tërhequr më 3 korrik të këtij viti, derisa nuk dhënë detaje të tjera.

“Gjykata Themelore në Ferizaj – Dega në Shtërpcë më 2 korrik 2018, me aktvendimin C.nr.43/15, ka vërtetuar se padia në çështjen juridike civile me kontest për anulimin e kontratës për qiranë (paditës: Shoqata e Bjeshkatarëve kundër të paditurit Marketing Sport), është tërhequr bazuar në nenin 409 paragrafi 1 të Ligjit të Procedurës Kontestimore. Padia është pranuar në gjykatë më13 korrik 2018”.

Në maj të vitit 2006, me një vendim të Kuvendit Komunal të Prishtinës, objekti iu dha në pronësi të përhershme kompanisë publike komunale “Sport Marketing”.

Komuna e Prishtinës përsërit se ky objekt është pronë e tyre, derisa kërkon që t’u kthehet në menaxhim. Megjithatë, deri tash komuna nuk ka asnjë dokument për ta vërtetuar pronësinë.

“Aq sa kam arritur të marr informacione, gjatë vitit 2018 sa jam unë në Komunën e Prishtinës, nuk kam hasur në një dokument, i cili e fakton pronësinë e Komunës së Prishtinë në çfarëdo mënyre të atij objekti”.

“Ne pretendojmë se është objekt i Komunës së Prishtinës dhe sigurisht që duhet të kthehet në pronësi të Prishtinës dhe nuk mund ta lëmë në atë gjendje, duhet ta restaurohet dhe duhet të kthehet në shfrytëzim, fillimisht, nxënësve të Komunës së Prishtinë, mirëpo asnjëherë nuk kemi pretenduar që t'ua ndalojmë shfrytëzimin edhe të tjerëve nëse ka hapësirë kohore”.

“Besoj që duhet të kemi ndonjë dokument, mbi bazën e të cilit është shfrytëzuar ai objekt i Komunës së Prishtinës ku thuhet që është pronë e ndërmarrjes komunale "Sport Marketing", mirëpo unë deri më tani nuk kam dokument”.

Zëvendësi i Shpend Ahmetit thotë se dëshirojnë të investojnë më shumë se 200 mijë euro për restaurimin e kësaj shtëpie, por kanë hasur në kundërshtimin e Komunës së Shtërpcës, cila gjithashtu pretendon se pronësia i takon asaj.

Pacolli thotë të ketë folur me Shoqatën e Bjeshkatarëve dhe Skitarëve. Sipas Pacollit, zyrtarë të kësaj shoqate i kanë thënë se posedojnë një dokument nga Komuna e Ferizajt që dëshmon se shtëpia është e tyre.

“Kësaj çështjeje dua t'i shkoj deri në fund dhe ta zbardh çështjen e pronësisë së këtij objekti dhe ai nuk mund të lihet si i tillë, qoftë i Komunës së Ferizajt, qoftë i Shtërpcës apo Prishtinës”.

Komuna e Shtërpcës vazhdimisht mohon t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.