Arbëri

Kërkohen drita përballë Filologjikut, Komuna s’premton zgjidhje të shpejtë

Hapësira përballë Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë po konsiderohet nga qytetarët dhe studentët si e rrezikshme për t’u shfyrtëzuar gjatë natës, pasi mungon ndriçimi.

Ata thonë se tani kur gjatë dimrit terri bie më herët, frikësohen të kalojnë këndej nga qentë endacakë dhe njerëzit që merren me dukuri negative, raporton 038 në KTV.

Qytetarët kërkojnë nga komuna që të vendosë ndriçim edhe në këtë hapësirë.

Mirëpo, qytetarët do të duhet të presin derisa të nis projekti për ndërtimin e parkingut nëntokësor në këtë hapësirë.

Sipas drejtorit për Shërbime Publike në komunë, Habib Qorri, ndriçimi i kësaj pjese është planifikuar të bëhet në kuadër të këtij projekti, i cili nuk dihet se kur do të nisë, e aq më pak kur do të përfundojë.

“Kurse pjesa para Filologjikut që vjen në drejtim të rrugës "Xhorxh Bush" ne e dimë që është planifikuar të bëhet një projekt tjetër prej komunës dhe tash derisa ai projekt është në procedurë ne nuk mund të bëjmë investime tjera aty kur brenda një kohe të shkurtër do të fillojë realizimi i projektit", ka thënë Qorri.

Qorri thekson se është kompetencë e Universitetit të Prishtinës investimi në hapësirat e saj. Megjithëatë, sipas tij, komuna, duke parë nevojën e qytetarëve, ka vendosur ndriçim në gjysmën e hapësirës së Kampusit Univeristar, deri te Biblioteka Kombëtare.

“Se si do të jetë projekti nuk e kam parë, mirëpo gjithesesi pjesa e sipërme është planifikuar të mbetet për shfrytëzim dhe të kthehet prap në gjelbrim. Në momentin që të jetë si park gjithsesi do të jetë edhe ndriçimi”, ka thënë Qorri.

Drejtori bën të ditur se ka përfunduar vetëm faza e parë e projektit për ndriçim dhe se do të vazhdojnë atë me hapësirat te Fakulteti Ekonomik dhe ai Teknik.

“Atë buxhet që e kemi pasur ne jemi duke e shpenzuar, tash nëse do të ketë nevojë dhe ka hapësirë në të ardhmen ose varësisht nga projektet si do të zhvillohen ne prap jemi të gatshëm ta realizojmë, por për momentin jemi duke i realizuar këto. E kemi kryer një fazë, edhe dy faza të tjera jemi në përgatitje”.

Emisioni ka pyetur edhe rektoratin e UP-së nëse kanë në plan të investojnë në këtë pjesë, por nuk ka marrë përgjigje, ndonëse zyrtarë të saj fillimisht, kishin pranuar të flisnin për televizionin.