Arbëri

Shkolla “Ismail Qemali” në kryeqytet me nga 43 nxënës në klasa

Descriptive Text

Në paralelen e nëntë të klasës së parë të shkollës fillore “Ismail Qemali”, në Prishtinë, në një klasë janë gjithsej 43 nxënës, duke u tejkaluar kështu numri prej 32-35 nxënës që parashihet sipas udhëzimit administrativ.

Pozita gjeografike por edhe përzgjedhja e kësaj shkolle si më e mira për disa herë radhazi, ka bërë që kjo shkollë të prijë me numrin e nxënësve të klasave të para, pasi që interesimi i prindërve për t’i bërë fëmijët pjesë të kësaj shkolle është rritur dukshëm. Madje edhe nga familjet që jetojnë në fshatrat e Prishtinës.

KosovaPress ka mësuar se ka edhe raste kur familjet që jetojnë në fshatra bëjnë kontrata tek noteri me qëllim që të figurojnë si banorë të lagjes Bregu i Dielli, që të regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë.

E më së vështiri del ta kenë mësueset të cilat u japin të vegjëlve hapat e parë të dijes. Kështu, mësuesja Filloreta Mustafa Dërmaku, e cila aktualisht ka paralelen 1/9, thotë se numri i madh i nxënësve e vështirëson procesin mësimor pasi që puna me klasat e para kërkon më shumë angazhim.

“Gjithsej kam 43 nxënës. Është një numër i madh por që po mundohemi t’ia dalim. Shkolla jonë është e stërngarkuar me nxënës, jo vetëm tek unë por të gjitha paralelet pothuajse variojnë nga ky numër 43-45. Është pak e vështirë por po mundohemi me iu përshtatë kushteve. Këta janë fëmijë dhe s’duhet të kursehemi por të punojmë vazhdimisht”, tha ajo, raporton Kosovapress.

Edhe drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Hatmone Demiri, thekson se shkolla që ajo e drejton prinë me numër të klasave të para.

Përkundër numrit të madh të nxënësve në këtë shkollë, Demiri thotë se kjo gjë nuk paraqet problem të madh pasi që me përkushtimin e mësimdhënësve, shkolla “Ismail Qemali” po ia del bukur mirë pasi që edhe konkurrenca është ajo që bënë punën e saj.

“Ne kemi pasur edhe mësuese tjera që kanë punuar në shkolla tjera me numër më të vogël të nxënësve dhe kemi bërë krahasimin. Ka një kualitet të madh dhe një konkurrencë të madhe në klasë. Këtu nxënësit fitojnë bukur shumë shprehi dhe njohuri sepse konkurrenca është në pyetje”, theksoi ajo.

Për mbipopullimin e shkollave fillore ka folur edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Në një prononcim për KosovaPress, Bytyqi ka ftuar që të respektohet Udhëzimi Administrativ.

“Kjo është e rregulluar me udhëzim administrativ dhe duhet të respektohet i njëjti. Por ka shkolla të cilat ndoshta e kanë të pamundur për shkak të ambienteve ose mungesës së infrastrukturës së nevojshme që ta realizojnë objektivin që e ka udhëzimi administrative”, tha Bytyqi.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu ka bërë të ditur se kjo rritje e numrit të nxënësve në disa shkolla fillore po ndodhë për shkak se prindërit insistojnë me çdo kusht që fëmijët e tyre të jenë pjesë e shkollës “Ismail Qemali”.

“Në shumicën e shkollave në Prishtinë kemi klasa, të themi normale, me 35 fëmijë, aq sa lejon udhëzimi administrativ. Ju po flitni për një shkollë që e kemi shumë të mbipopulluar, ajo është shkolla ‘Ismail Qemali’, ku i kemi gati 2800 nxënës, po për fat të keq kemi klasa edhe me 40 nxënës për arsye se është një pjesë e konsideruar e prindërve që, me dokumente të noterit, kanë regjistruar fëmijët në ato shkolla, dhe e kanë rritë numrin e fëmijëve. Ne jemi duke i hulumtuar këto raste dhe padyshim që në klasat e mbipopulluara cilësia mund të bjerë, po bëjmë çdo gjë që është e mundur që të ndërtojmë ndërtesa të reja dhe të rrisim hapësirat shkollore në mënyrë që të mos ndodhë kjo, sikur deri tash në shkollën ‘Ismail Qemali’”, ka thënë Salihu.

E ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, thotë se gjatë mandatit të saj kishin marrë vendim që të mos tejkalohet numri i nxënësve në paralele. Sipas saj, gjatë asaj kohe nuk ka pasur as dallime në mes të klasave të një shkolle.