Arbëri

VV-ja pyet: A është Shpend Ahmeti aksionar në Albi Mall

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar sërish kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, se po lejon ndërtime pa leje në kryeqytet për përfitime të veta.

Anëtari i kryesisë së VV-së, Arbër Vokrri, në një konferencë për medie ka thënë se pjesa shtesë e kompanisë Albi Mall është ndërtuar pa leje dhe se Ahmeti e ka promovuar këtë kompani.

Ai ka thënë se dyshojnë që Ahmeti është aksionar në kompaninë që ka sjellë disa brende botërore në këtë kompani.

“Shqetësimi ynë lidhet me faktin se kjo leje këtë radhë mungon. Ky fenomen po merr hov. Duhet të ketë një përgjigje nga komuna, ishte një përgjigje e vokët, se dikush nga punëtoret e komunës ishte vonuar në përditësimin e web faqes”, tha Vokrri, përcjell KTV.

Image

Ai gjithashtu tha se kryetari Ahmeti shfaqet në rrjete sociale duke i bërë reklamë këtyre brendeve.

“Ardhja e brendeve të njohura në Prishtinë, është lajm i mirë por pse i bëhet reklamë pikërisht këtij brendi, pikërisht në Albi Mall. Lind pyetja mos kryetari është aksionar aty, mos ka ndonjë familjar. Kjo na shton dyshimet për lidhje korruptive. Mund të jetë fjala për punësim të ndonjë familjari të kryetarit në Albi Comerce””, shtoi tutje.

Koha.net ka provuar të kontaktojë me kryetarin Ahmeti, por ai ka qenë i paqasshëm. 

Ndërsa, deputeti Liburn Aliu, ka akuzuar Shpend Ahmetin se po mundëson të ndërtohen pa leje dy objekte, një në rrugën “Agim Ramadani” dhe tjetrin në rrugën “UÇK”.

Prapa këtyre ndërtimeve, sipas Aliut, ka diçka më të madhe, derisa ka pyetur Ahmetin nëse ka kjo lidhje me presidentin Hashim Thaçi apo kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Ndalimi i ndërtimeve pa leje ishte pikënisje e ndryshimeve në Prishtinë. Shpendi e di mirë për telefonatat që kemi pasur nga njerëzit e politikës, edhe për këto dy objekte. Është e pamundur që Shpendi të mos jetë i informuar për albi mall dhe për këto dy ndërtesa”, tha Aliu.

Aliu vlerësoi se këtu kanë të bëjnë me rikthim të degradimit të së shkuarës në Prishtinë.

“Shpendi po qeverisë ashtu siç u qeveris dikur në Prishtinë. Shpendi po i ngjan Ramushit. Pres që të shpërthejë së shpejti diçka, nuk është veç ndërtim pa leje, por diçka me e madhe. A lidhet kjo me presidentin Thaçi apo me kryeministrin Haradinaj, emër konkret s’mund të jap sepse janë çështje takimesh të brendshme. Edhe Shpendi edhe unë e dimë. Ndërtimi i tyre ishtë ndal në janar 2014 dhe po vazhdojnë”, tha ai.