Arbëri

Mustafa flet për qeverisjen Ahmeti, thotë t’i ketë realizuar projektet e nisura nga qeverisja e tij

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, në Rubikon të KTV-së, ka folur për mandatin qeverisës të pasardhësit të tij, Shpend Ahmeti.

Fillimisht, ai foli për punët që i ka përfunduar sa ka qenë në këtë post, por edhe ato që i ka nisur kabineti i tij e që po përfundojnë tashmë.

“Sa kam qenë unë kryetar i Komunës, kemi hapur shumë punë. Kemi realizuar shumë projekte që kanë mbetur shenjë e komunës, siç janë sheshi, Rruga B, kolektorët, kemi filluar projektin e ngrohtores dhe atë të ujit. Kemi iniciuar edhe çështjen e autobusëve”, ka thënë Mustafa.

Por, ai, duke iu përgjigjur kritikave të pasardhësit të tij, Shpend Ahmeti, se i ka lënë në gjysmë shumë punë, ka thënë se disa punë nuk mund të përfundojnë porsa të fillojnë.

“Zoti Ahmeti dhe gjithë të tjerët duhet ta dinë se projektet nuk përfundojnë porsa të fillojnë. Çështja e ujit nuk mund të përfundojë për gjysmë viti apo për një vit. Janë merita të udhëheqësisë së Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës. Ka shumë subjekte që kanë merita për këtë projekt”, tha ai.

Sipas kreut të ekzekutivit, në mandatin qeverisës të Ahmetit nuk janë filluar projekte të mëdha.

“Ka pasur shumë premtime se do të ketë ndërtime banesore me çmime shumë të lira. Ka pasur premtime se çështja e ujit do të zgjidhet për një vit..., por s’janë realizuar”, shtoi ai.

“Qeverisja e Shpendit dhe Vetëvendosje ka qenë në formën se kanë qenë shumë të pranishëm në media. Ahmeti ka dashur të më itimidojë edhe mua në ato 70 lëndët për korrupsion. Por, për pikërisht ato lëndë që i kanë dërguar në Prokurori, kanë filluar të lëshojnë leje ndërtimi. Megjithatë, mbetet që organet e rendit ta kryejnë punën e tyre. Unë e di çfarë kam lënë në Komunë, dhe absolutisht gjithçka është në rregull”, ka deklaruar ish-kreu i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.