Arbëri

Rritet numri i fëmijëve të përfshirë në çerdhet e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka krijuar mundësitë për të filluar një strategji të re për shkollimin në moshën e hershme dhe se është rritur dukshëm numri i fëmijëve të përfshirë në çerdhe.

Arbërie Nagavci nga Drejtoria për Arsim në Komunën e Prishtinës tha të martën se janë realizuar objektivat dhe pritshmëritë për “Çerdhet me bazë në komunitet”, transmeton Koha.net.

Sipas saj, Komuna e Prishtinës ka krijuar mundësitë për të filluar me një strategji të re për shkollimin në moshën e hershme. Ajo tha se është rritur dukshëm numri i fëmijëve të inkuadruar në çerdhe.

Në konferencë u tha se derisa në vitin shkollor 2014-2015 ka pasur 15.7% pjesëmarrje të fëmijëve në çerdhe, tani është rritur pjesëmarrja ku një e treta e tyre janë të inkuadruar në çerdhe.

Fitore Pacolli, shefe e Kabinetit të kryetarit në Komunën e Prishtinës, theksoi se janë 5 çerdhe që janë duke funksionuar shumë mirë dhe se është duke u punuar që të hapen edhe 5 të tjera.

Në takim ishin prezent edhe përfaqësues të çerdheve të themeluara dhe njëherësh treguan për të arriturat dhe sfidat që kanë kaluar gjatë funksionalizimit të çerdheve.