Arbëri

Nesër nis zgjerimi i rrugës Prishtinë – Veternik, bëhen me tetë korsi

Descriptive Text

Prishtinë, 17 prill - Nesër, më 18 prill 2017, nisin punët për zgjerimin e rrugës Prishtinë Veternik.

Bëhet e ditur se kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharku në orën 12 do të inaugurojnë fillimin e punimeve për zgjerimin e kësaj rruge, e cila do të jetë e para në Kosovë me 4 korsi në një drejtim, pra 8 korsi në të dy drejtimet, transmeton Koha.net.

Ky segment rrugor do të zgjerohet në të dy anët me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi. Po ashtu, në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare me ndriçim dhe shteg të biciklistëve.

Projekti është paraparë të realizohet me 2 llote. Lloti i parë do të jetë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i majtë i rrugës, i cili sipas kontratës parashihet të përfundojë brenda 150 ditësh pune, me një gjatësi prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,589,674.34 eurosh, ndërsa lloti i dytë është drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës, me një gjatësi po ashtu prej 1.5 kilometrash dhe me kosto prej 1,374,516.70 eurosh. Punimet e llotit të dytë, sipas kontratës, parashihet të përfundojnë brenda 110 ditësh pune.