Arbëri

Komuna e Prishtinës lejon prezantimin e një fletushke në shkolla, reagojnë prindërit

Një grup i të rinjve ndërkombëtarë ka marrë leje nga Drejtoria e Arsimit të Prishtinës që nëpër shkollat fillore të prezantojnë një fletushkë, e cila ua mundëson nxënësve se si të mësojnë punë dore.

Kjo fletushkë po shitet nëpër shkolla dhe kushton 3 euro. Prindërit thonë se ky është biznes i pastër dhe dikush po tenton të përfitojë prej të vegjëlve, raporton KTV.

Drejtoresha e shkollës fillore “Faik Konica”, Gjylie Balaj nuk ka dashur të flasë për këtë, pasi thotë se kjo fletushkë është paraqitur me leje të Drejtorisë së arsimit dhe nuk ka asgjë në dorë.

Njësoj ka deklaruar edhe drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Hatmane Demiri.

E, drejtoresha e Arsimit e Prishtinës, Arbërie Nagavci, thotë se ai grup ndërkombëtarësh kanë marrë leje vetëm për të prezantuar punimin dhe asnjë nxënës nuk është i obliguar ta blejë, pasi ajo nuk e ka dhënë pëlqimin për shitjen e fletushkave.

Përmbajtja e kësaj fletushke nuk korrespondon fare me planprogramin mësimor për ciklin e ulët, prandaj edhe cilësohet si e pavlefshme nga prindërit.