Arbëri

Synimi i NPB-së për 2017: Renovimi dhe mirëmbajtja e 100 hyrjeve

Përmirësimi i gjendjes në hyrjet e ndërtesave në bashkëpronësi është mision i nisur së fundmi nga Ndërmarrja Publike Banesore e Komunës së Prishtinës.

Rezultatet e para veç janë shfaqur në njërën prej hyrjeve të para që i është nënshtruar renovimit.

Pakoja e re e shërbimeve përfshin pastrimin dhe lirimin e hapësirës, e më pas renovimin e saj, duke bërë ndryshime që nga dyert, interfonët, ndriçimi e gjëra të tjera përcjellëse deri te ashensorët, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Drilon Pireva nga Ndërmarrja Publike Banesore ka thënë se renovimet fillestare të hyrjeve të banesave do të kryhen me fonde të NPB-së, ndërsa për shërbimet e mirëmbajtjes, qytetarët duhet të paguajnë 6 euro në muaj.

Por paraprakisht për t’u bërë kjo duhet konsultimi me këshillat banesorë, për krijimin e të cilëve është duke e punuar kjo ndërmarrjeje.

Të martën, përfaqësues të NPB-së, bashkë me të parin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti, prezantuan pakon e re të shërbimeve, që vjen pas licencimit të ndërmarrjes nga Ministria e Mjedisit.

Qendra, Ulpiana, Dardania dhe Bregu i Diellit do të jenë lagjet e para që do të përfitojnë nga kjo pako e re shërbimesh.