Arbëri

Prishtina synon që brenda pesë vjetësh t’i strehojë 250 familje

Është publikuar lista e familjeve përfituese të banesave sociale në lagjen Hajvalia në kryeqytet, raporton KTV.

Nga 331 familje aplikuese, 301 i kanë plotësuar kushtet, ndërsa vetëm 50 të parat do ta kenë mundësinë që për 3 vjetët e ardhshëm t’i shfrytëzojnë banesat.

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se vlerësimi është bërë sipas udhëzimit “për përcaktimin e radhës së përparësisë për kategoritë e familjeve që përfitojnë nga programet e veçanta të banimit”.

Ai shtoi se përmes programeve të ndryshme brenda 3-5 vjetësh, synojnë që t’i strehojnë edhe 250 familje të tjera nga Komuna e Prishtinës.

Për të arritur këtë, ai ka thënës e do të shohin edhe mundësinë e hyrjes në bashkë-ndërtim në prona të komunës, e po ashtu, edhe largimin nga banesat komunale të asamblistëve dhe ish-zyrtarëve komunalë.

Sipas Ahmetit, Fusha e Pajtimit dhe Hajvalia nuk janë modelet më të mira të strehimit dhe se ata do të aplikojnë edhe mënyra tjera për t’i ikur “getoizimit”. Pos 50 banesave për familjet me asistencë sociale, Komuna e Prishtinës do të ndajë edhe 50 të tjera për kategoritë e dala nga lufta.