Lokalet 2021

Kronikë zgjedhore \ LDK-ja premton punësim në Vushtrri e zhvillim ekonomik në komunat e tjera

Dita e dytë e fushatës për balotazh kryetarin e LDK-së e ka çuar në Vushtrri për t’i dhënë mbështetje kandidatit Xhafer Tahiri. Nga atje, Lumir Abdixhiku ka premtuar vende të reja të punës për vushtrriasit. Ndërkaq në komunat e tjera kandidatët e LDK-së premtuan zhvillim ekonomik

Me përqafime të shumta e ka nisur tubimin zgjedhor të së martës kandidati për Vushtrrinë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri.

E afërsinë me qytetarët që e ka Tahiri e përdori edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për t’ua kërkuar votat qytetarëve.

“Për mua është gjithmonë kënaqësi e veçantë të jem në mesin tuaj e njerëzve punëtorë në qytetin e lashtë të Kosovës, aty ku e kërkoj mbështetjen e rikonfirmimit të kryetarit tonë më të mirë që e kemi në Kosovë, Xhafer Tahirit”, ka deklaruar Abdixhiku.

Vetë Tahiri ndërkaq ka premtuar punësim të vushtrriasve, nëse arrin ta fitojë mandatin e dytë të tij.

“Projekti jonë për Vushtrrinë sjell zhvillim e punësim për të rinjtë, për gratë, për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë, pa dallim. Në qendër të programit tonë kemi vendosur punësimin e gruas dhe të rinjve në Vushtrri”, ka thënë ai.

Votën e qytetarëve nën premtimin për zhvillim ekonomik e ka kërkuar edhe Ilir Ferati, kandidat për Komunën e Istogut.

“Po ju ftoj të gjithëve, pa dallime partiake, që të na bashkoheni në këtë rrugëtim për të ruajtur identitetin e komunës sonë. Bashkohuni me ne për të zhvilluar ekonominë lokale e për të avancuar sistemin arsimor. Bashkohuni me ne për nxënësin, për rininë, për bujkun, për doktorin, për biznesin”, ka bërë thirrje ai, nëpërmjet një videoje drejtuar qytetarëve.

Me projekte të filluara si ai për autostradën e Gjilanit, i pari i kësaj komune dhe njëherësh edhe kandidat për kryetar, Lutfi Haziri, e ka vazhduar fushatën e tij.

Sipas tij, ky projekt do të ndihmojë jetën e banorëve të Gjilanit.

“Sfidat që i kemi hasur në vizionin për t'u lidhur me kryeqytetin për vetëm 17 minuta, më kanë bërë të lidhem edhe më fort me këtë projekt. Zhvillimi ekonomik, dinamizmi i jetës e afrimi me Prishtinën, Tiranën, Kosovën Lindore e lidhja me korridorin e dhjetë ndërkombëtar, kanë qenë motive kyç për ta shtyrë këtë projekt e për t'u bërë ballë vështirësive”, ka shkruar Haziri.

Edhe kandidati për Prishtinën, Përparim Rama, i ka takuar banorët e kryeqytetit. Sipas tij, “ata janë të gatshëm për ndryshim”.