Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Abdixhiku kërkon besimin e qytetarëve për kandidatët e LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës të premten e ka përmbyllur fushatën zgjedhore. Kandidatët e kësaj partie kanë kërkuar votën e qytetarëve nën premtimet se do të sjellin transformim në qytete, zhvillim ekonomik, punësim, shëndetësi e arsim cilësor. Ata janë zotuar për qeverisje transparente, pa korrupsion e nepotizëm

Fushatën njëmujore, e cila u përmbyll të premten, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e quajti të pazakontë. Gjatë kohës sa ajo zgjati, Abdixhiku tha se ndonëse jo me tubime të mëdha, kanë takuar shumë njerëz nga profesione të ndryshme të cilët, siç ka thënë ai, ia kanë vërtetuar rikthimin e madh politik të LDK-së.

Në fjalën e tij në mbyllje të fushatës, Abdixhiku tha se LDK-ja në zgjedhjet e së dielës garon me ekipin më të kualifikuar në vend me kandidatë me integritet, përvojë, dije e vullnet të jashtëzakonshëm.

“Të dielën, më 17 tetor, LDK-ja do të hapë dyert e shpresës për secilën shtëpi e familje, për çdo lagje të fshatit e qyteteve tona. Këto janë zgjedhje të dinjitetit, mirëqenies e garancisë se vullneti juaj politik është themeli i demokracisë për qytetarët dhe vendin tonë. Si të tillë besimin e marrë më 17 tetor do ta kujdestarojmë me përgjegjësi”, ka thënë Abdixhiku.

Ditën e fundit të fushatës Abdixhiku e kaloi bashkë me kandidatin për Prishtinën, Përparim Rama. Për të, kreu i LDK-së kërkoi mbështetje duke thënë se është udhëheqës transformues, njeri urbanist e me vizion për Prishtinën.

Cilësime të ngjashme i dha vetes edhe Rama derisa kërkoi votën e qytetarëve. “Prishtinalitë janë mësuar të jetojnë në një kryeqytet që nuk ka parë ndryshime të mëdha qe sa vjet, por tash kanë me ndodhë”, ka thënë ai.

Në Mitrovicë, kandidati Armend Agolli ka kërkuar nga qytetarët që t’ia besojnë postin e kryetarit, të cilin tha se do ta ushtrojë me punë, nder, përkushtim e sinqeritet. Sipas tij, në Mitrovicë vetëm me të mund të bëhet ndryshimi.

“Para se ta jepni votën tuaj e ta përcaktoni se si do të jetoni nga 17 tetori, ju lus të mendoni mirë të ardhmen që e doni për fëmijët dhe prindërit tuaj, për ata që u sakrifikuan për këtë vend dhe për ata që do të vijnë nesër”, ka thënë ai.

E në Prizren kandidati i LDK-së, Anton Quni, tha se do ta kalojë me sukses garën zgjedhore. Ai tha se është i përkushtuar për ndryshimin e Prizrenit e rikthimin e qeverisjes së LDK-së atje. “Si luftëtar i lirisë në Koshare, si deputet i juaji, si ministër i Mbrojtjes dhe kudo e gjithmonë kam pasur vetëm një synim, t’u shërbej vendit dhe bashkëqytetarëve të mi. Kështu do të jem edhe si kryetar i juaji”, ka thënë Quni.

Ilir Ferati, kandidat për Istogun, tha se vota për të më 17 tetor do të jetë votë për zhvillim, punësim, arsim e shëndetësi cilësore. “Ju bëj thirrje secilit prej jush, që të dielën kur të dilni për të votuar, votoni për punësim e zhvillim ekonomik, votoni për arsim cilësor e për të gjithë”, ka thënë ai.

E për Deçanin u zotua se do ta kthejë në binarët e qeverisjes së mirë, kandidatja Hyri Dobrunaj. Ajo tha se me qeverisjen e saj do të kthehet shpresa në këtë qytet, sidomos për të rinjtë. “Të rinjtë sot kërkojnë model të ri e rrugë të re, rrugë që ofron shpresë, punë dhe zhvillim dhe kjo nis pikërisht me rikthimin tonë në Deçan. Kjo rrugë nis pikërisht me pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje”, ka deklaruar ajo.

Në Ferizaj, kandidatja Sibel Halimi, në tubimin përmbyllës tha se takimet në çdo cep të Komunës ia kanë mundësuar t’i prekë nga afër të gjitha problemet e këtij qyteti, për të cilat tha se ka zgjidhje. Tha se është e dhimbshme që edhe 21 vjet pas lufte qytetarët kanë probleme bazike, si mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm e kanalizime. Ajo u zotua për qeverisje me transparencë pa korrupsion e nepotizëm. “Do të punojmë së bashku për Ferizajn tonë pa hile e premtime të rrejshme, por me sinqeritet e zemër të hapur. Qeverisja ime do të ofrojë zgjidhje për të gjitha kategoritë shoqërore, për tregtarët, bujqit e punëtorët, për mjekët e arsimtarët, për artistët për të rinjtë e sidomos për gratë dhe vajzat”, ka thënë ajo.

Mbështetje për të dielën ka kërkuar edhe kandidati për Gjakovën, Teki Shala, i cili tha se ka një program që ngërthen dhe ndërlidh zgjidhjen e problemeve më bazike të qytetarëve të Gjakovës. Ai tha se me të kryetar në qendër do t’i ketë ruajtjen e biznesit, ruajtjen e shëndetit, zhvillimin e arsimit, zhvillimin e ekonomisë, politikën paqësore dhe vizionin euroatlantik. “Të dielën është momenti që vota juaj të shkojë për këto parime, të shkojë te njerëzit tanë që kanë profesion, që kanë përvojë, që jetojnë nga puna dhe mundi i tyre”, ka thënë Shala.

Shumë nga kandidatët e kësaj partie kanë mbajtur tubime përmbyllëse me pjesëmarrje të madhe të njerëzve e në kundërshtim me masat.