Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK: Do ta riorganizojmë Qendrën zejtare në zemër të qytetit në Mitrovicë

Qendër zejtare në Mitrovicë, salla sportive në Shtime e fusha sportive në Fushë-Kosovë, janë disa nga premtimet që kanë dhënë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të këtyre komunave. Derisa, Fadil Nura, në Skenderaj, është zotuar se fshatin Likoc do ta bëjë atraksion për vizitorët

Zhvillim urban, me ndërtim të rrugëve e rregullim të sheshit, ka premtuar Bedri Hamza, në Mitrovicë. Ai ka premtuar edhe riorganizimin e Qendrës zejtare në qytet, por siç ka thënë duke i ruajtur bizneset që gjenden aty.

“Që të kemi një zhvillim urban sa më të shpejtë, sa më të kontrolluar, të mirëmbajtur, ne kemi paraparë të hapim dhe t’i ndërtojmë rrugët “Ali Zeneli” dhe “Evlia Qelebia”. Do të rregullojmë sheshin e qytetit duke ndërtuar tri fontana dhe zgjeruar hapësirat e gjelbëruara. Duke organizuar Qendrën zejtare në zemrën e qytetit, duke i ruajtur të gjitha bizneset aty”, ka deklaruar Hamza.

Hamza, po ashtu, është zotuar se gjatë mandatit të ardhshëm do ta rregullojë transportin publik në qytetin e Mitrovicës, duke ndërtuar stacion të ri të autobusëve, si dhe subvencionim të tij.

“Ndërsa për ta rregulluar transportin publik në Mitrovicë, ne kemi parapa: dislokimin e stacionit të autobusëve afër stacionit hekurudhor me qëllim të krijimit të lidhshmërisë në mes transportit rrugor dhe atij hekurudhor. Rehabilitimin dhe ndërtimin e stacioneve dhe ndaljeve të autobusëve dhe vendpritjeve për udhëtarë. Subvencionimin e transportit publik, organizimin e menaxhimin e transportit publik”, ka thënë Hamza.

Tri salla të sportit, kabinete e digjitalizimin e shkollave ka premtuar kreu aktual i Shtimes, Naim Ismaili, e që po garon edhe për një mandat tjetër. Ismaili ka premtuar edhe ndërtimin e dy shkollave në fshatrat e kësaj komune.

“Ne për mandatin katërvjeçar po bëjmë angazhimet tona maksimale që të përmbyllim ndërtimin e objekteve shkollore, duke bërë ndërtimin e dy objekteve shkollore, në Vojnovc dhe në Petrovë, dhe meremetimin e shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime”. Gjithashtu, tri salla të sportit dhe do të bëjmë kompletimin e pjesës që ka ngelur për kabinetet e shkencave ekzakte të informatikës dhe kabinetet e shkollës profesionale. Do të punojmë fuqishëm në digjitalizimin e shkollave dhe në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies”, ka thënë ai.

E kandidati i PDK-së për kryetar të Rahovecit, përmes një video-adresimi, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin masivisht në zgjedhje. Bejtullah Deliu ka thënë se kryetari i ardhshëm i komunës duhet t’u nënshtrohet qytetarëve e jo kryetarit të partisë.

“Programin që e kemi prezantuar para jush e përfshin gjithsecilin, sepse unë jam dhe kam qenë njëri nga ju, sepse jeta ime, zhvillimi im profesional, ka filluar në Rahovec dhe do të mbarojë në Rahovec. Ka kaluar koha që qeverisjet lokale u nënshtrohen kryetarëve të partisë dhe jo qytetarëve të komunës. Prandaj, ju bëj thirrje që në këto zgjedhje të 17 tetorit, të dalim masivisht në zgjedhje, që ju të zgjidhni përfaqësuesit tuaj që të punojmë me ju dhe për ju”, ka thënë Deliu.

Ndërsa, ujë, kanalizim, bibliotekë e salla të leximit ka premtuar Rrahim Tërnava në Fushë-Kosovë.

“Për katër vjetët e ardhshëm për t’i dhënë gjallëri Pomozotinit kemi planifikuar t’i realizojmë këto projekte. Rregullimin e rrjetit të ujësjellësit dhe të kanalizimit, ndërtimin e një fushe të jashtme të sportit, bibliotekë dhe sallë të leximit, rikonstruktimin e urës, shteg për biçikleta e shumë e shumë punë të tjera”, ka deklaruar Tërnava.
Derisa Fadil Nura, në Skenderaj, ka premtuar investime në fshatin Likoc, ai ka thënë se Likoci do të shndërrohet në atraksion për vizitorët.
“Likoci, fshati i krenarisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi ku u ngrit për herë të parë Shtabi i Përgjithshëm, do të shndërrohet në një lokalitet që respekton të kaluarën, duke u bërë atraksion edhe për vizitorët”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Derisa kandidatët e tjerë nga kjo parti kanë bërë thirrje për dalje masive në këto zgjedhje lokale.