Lokalet 2021

Arifi: U keqpërdorën qytetarët në tubime masive, u rrezikua shëndeti i tyre

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO, ka thënë se fushata zgjedhore e cila zyrtarisht përfundon brenda tri ditësh, ka shkuar në mënyrë të rregullt duke shtuar se karakteristikë e fushatës kësaj radhe ka qenë se ishte e fokusuar më shumë në fushatë dixhitale për shkak të pandemisë.

Ballafaqimin e kandidatëve nëpër emisione televizione, ai e quajti gjë të mirë për demokracinë e vendit.

Arifi identifikoi temat kryesore që kandidatët kanë prezantuar si parime në programet e tyre.

“Temat kryesore, e para qendrore ka qenë premtimi lidhur me përmirësimin e situatës shëndetësore, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Kemi parë një gjendje të mjerueshme sepse kandidatët kanë pasqyruar gjendjen dhe kanë dhënë zgjidhje. Së dyti, kemi parë që prioritet për shumë kandidatë është furnizimi me ujë të pijes. Pastaj renditen projektet kapitale, infrastrukturore që nuk mungojnë në asnjë fushatë”.

Arifi ka thënë se është vërejtur edhe se shpesh është përdorur edhe partia në pushtet, konkretisht pushteti qendror, për t’i joshur qytetarët me premtime për komunat.

“Po, kjo çështje, ky veprim dhe kjo joshje e qytetarëve ka ndodhur dhe ka qenë e shprehur edhe në fushatë. Në forma të premtimeve dhe posaçërisht premtime që janë milionëshe, kryesisht është aluduar në projekte që ne e kemi qeverisjen dhe do na ndihmojë qeveria. U bëj thirrje qytetarëve të mos i besojnë këto premtime sepse kanë mbetur të pazbatuara”.

Megjithatë, sipas Arifit, pushteti qendror “ndikim mund të ketë por ndikimi është i papërfillshëm në ndryshim të rezultatit. Kjo nuk ndryshon rezultat, mund të ndryshojë në përqindje por jo në rezultat”.

Arifi shtoi se përveç keqpërdorimit të qytetarëve duke i tubuar ata e duke rrezikuar shëndetin e tyre, të tjera shkelje nuk janë identifikuar.

“Eshtë shqetësuese keqpërdorimi i qytetarëve në tubime masive që e dëmton jetën e qytetarëve. Është rrezikuar shëndeti i tyre, tjetër shkelje nuk është se kemi evidentuar. Nuk kemi parë ndonjë keqpërdorim masiv të fëmijëve, kemi pasur prezencë edhe të personave të moshave që nuk mund të votojnë por jo në masë të madhe”, ka thënë ai.