Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja premton përkrahje për të rinjtë

Kandidatja e LDK-së për kryetare të Ferizajt takoi të rinjtë e kësaj komune.

Ajo u premtoi se Ferizajn do ta bëjë vend ku ata do ta gjejnë veten.

“Në qeverisjen time ne do ta bëjmë të pamundurën që vendi, sikurse ky i joni që është i dyti më i zhvilluar, të jetë një vend ku ju do të ndiheni të dobishëm, ku ju do të kontribuoni, ku ju do ta gjeni vetveten”, ka thënë Sibel Halimi.

E, në mbështetje të saj në këtë takim ka qenë edhe kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Ai të rinjve u ka thënë që duhet të ndihen me fat që kanë Sibel Halimin kandidate për qytetin e tyre.

“Në çdo paraqitje publike gjithandej ne do të themi ja çfarë kandidate kemi dhe për këtë jam krenar edhe unë që jam bashkëpunëtor e besoj që jeni krenarë edhe ju”, ka deklaruar i pari i LDK-së.

E, mbështetje për të rinjtë ka premtuar edhe kandidati për Istogun, Ilir Ferati.

Ai të rinjve të Istogut u ka premtuar ndërtimin e qendrave rinore dhe fushata të ndryshme vetëdijesuese.

“Për rininë tonë brilante, sportin e mirëfilltë dhe kulturën tonë plani jonë është si vijon: ndërtimi i qendrave rinore në zonat urbane për zhvillimin e aktiviteteve rinore, kampanja vetëdijësuese për të rinjtë në luftimin e dukurive negative, krijimi dhe funksionalizimi i këshilleve rinore lokal apo KVRL”, ka thënë Ferati.

E, për të rinjtë e Vushtrrisë, mbështetje ka premtuar kandidati Xhafer Tahiri. Ai ka thënë se nga ky vit nxënësit e gjimnazit “Eqrem Çabej” do të jenë pjesë e kompanisë së zhvillimit e inovacionit, “Speeex”.

Ndërsa, kandidati për Fushë Kosovën, Burim Berisha, u ka premtuar banorëve të lagjes së Nakaradës ndërtimin e një parku me hapësirë prej 80 hektarësh.

Ai, gjithashtu, ka premtuar ndërtimin e një këndi të lodrave dhe të sallës sportive.