Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ AAK-ja premton rindërtim të “Kino Lumbardhit”

Mbështetja e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për kandidatët e tij nuk ka munguar as në prag të përfundimit të fushatës.

Haradinaj u ka kërkuar votën qytetarëve të Shtimes për listën e asamblistëve dhe qytetarëve të Malishevës për kandidatin Kastriot Berisha.

“Kemi edhe një program të mirë që e kanë punuar me kujdes dhe një listë të asamblistëve dhe asamblistëve t’zotë. E kam për nder sot të kërkoj votën tuaj më 17 tetor për AAK-në”, ka thënë i pari i AAK-së.

E, kandidati i AAK-së për Malishevën ka premtuar se me të kryetar, do t’u sigurojë qytetarëve shërbime të shpejta komunale në mënyrë digjitale.

Berisha ka thënë se e-kioskat do të jenë 24 orë të qasshme për qytetarët.

E rindërtim të “Kino Lumbardhit” ka premtuar kandidati për Prizrenin, Lulzim Kabashi.

Sipas projektit, objekti do të përmbajë edhe galeri të arteve dhe sallë konferencash.

“Për të zgjidhur këtë problem kam këtë projekt i cili përmban në vete shumë përparësi në krahasim me objektin ekzistues dhe ato janë: Rindërtimi i objektit sipas ligjit duke respektuar të gjitha karakteristikat e Arkitkturës së vjetër të Prizrenit, ndërtimi i dy sallave të mbyllura të kinemasë me nga 300 vende dhe një kinemaje të hapur me 350 vende, ndërtimi i hapësirës prej 200m2 për galeri të arteve, hapësirë për konferenca me gazetar”, ka thënë Kabashi.

Përmirësim të jetës në komunitet u ka premtuar ndërkaq kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini edhe banorëve të fshatrave Dobrosh, Pacaj dhe Sheremetaj.

“Kemi edhe pak rrugë me punu në Dobrosh, kemi edhe disa pjesë ku unë i quaj jetë në komunitet do t’ i arrijmë bashkë. Unë e di që në cilindo cep të kësaj ane, nuk ka familje të cilës nuk i është përmirësu jeta, të paktën në një aspekt të vetëm”, ka theksuar Gjini.

Ndërsa, kandidati për Istogun, Bekë Berisha, bashkë me kandidatët për asamblistë, në fshatin Osmanaj është zotuar se do të ndërtojë një urë në një pjesë të fshatit ku banorët kanë nevojë.