Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore / Bejtullah Deliu në Rahovec premton pishinë gjysmë olimpike

Pishinë gjysmë olimpike, e grante për bizneset ka premtuar Bejtullah Deliu, kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit. Parqe të reja dhe shtigje biçikletash ka premtuar Shaqir Totaj në Prizren. E, në Prishtinë Uran Ismaili ka vizituar lagjen Hajvalia, ku ka premtuar zgjidhjen e problemit me qentë endacakë

Kandidati i PDK-së për kryetar të Rahovecit ka shpalosur programin e tij për zgjedhjet lokale.

Bejtullah Deliu ka thënë se programi qeverisës i tij përmban 6 pika kryesore e që kryesisht kanë të bëjnë me përmirësimin e arsimit, bujqësisë, kulturës e shëndetësisë.

Deliu ka premtuar se gjatë mandatit të tij, do ta ndërtojë një pishinë gjysmë olimpike.

“Do të ndërtojmë një pishinë gjysmë olimpike, do ta bëjmë Rahovecin e gjelbër, me parqe, hapësira rekreative e fusha sportive. Me ne në qeverisje komuna do të përkujdeset që t’i ndihmojë bizneset me grante 100%. Do t’u ofrojmë mbështetje financiare bizneseve të reja Start Up dhe bizneseve që udhëhiqen nga gratë. Do të themelojmë zyrën për komunikim dhe ndihmë bizneseve nga diaspora shqiptare. Do të ofrojmë parcela për investime nga diaspora”, ka thënë kandidati i PDK-së për kryetar të Rahovecit, Bejtullah Deliu.

Ndërkaq, Shaqir Totaj ka akuzuar qeverisjen aktuale për, siç ka thënë, keqmenaxhim të parasë publike dhe degradim të qytetit, duke thënë për kryetarin aktual se ishte vetëm turist në qytetin e Prizrenit.

Totaj është zotuar se do të ketë më shumë hapësira të gjelbra, parqe të reja e shtigje biçikletash.

7:12 “Ne do të fokusohemi në mbështetje direkte të blegtorëve e bujqve të Prizrenit. Subvencionimi i ndërtimit të sistemit të ngrohjes së serave. Rritja e kapaciteteve të ujitjes, ndihma për blerjen e pajisjeve bujqësore si dhe themelimi i fondit të veçantë për blegtorë dhe sigurimi i tregut mobil për shitjen e produkteve brenda dhe jashtë qytetit”, ka thënë kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj.

Ai ka shtuar se do ta krijojë fondin mbështetës për bizneset e reja, ku prioritet do të jenë rinia dhe gratë.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismaili, është zotuar për zgjidhjen e shumë problemeve të banorëve në Hajvali.

Gjatë një takimi në këtë lagje të Prishtinës, Ismaili premtoi që Hajvalinë do ta shndërrojë në një vendbanim më të mirë dhe në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Krijimi i një nënstacioni policor, ndërtimi i qendrës kulturore për komunitetin e Hajvalisë, ndriçim efiçient i të gjitha rrugëve, marrëveshje me Federatën e Futbollit për të lejuar ndeshjet e ekipit të Hajvalisë në stadium, largimi i problemit të qenve endacakë, ndërtimi i së paku dy çerdheve publike në Hajvali, legalizimi i pronave dhe zhbllokimi i kapitalit të qytetarëve, realizmi i një parku me hapësira rekreative dhe sportive”, ka thënë kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.

Ai ka shtuar se lagjja e Hajvalisë, ka mungesë të hapësirave publike dhe se meriton më shumë kujdes e investime publike.

Në kuadër të fushatës, mbështetje për biznese ka premtuar Leonorë Bunjaku në Gjilan.

E, Bedri Hamza në Mitrovicë, ka premtuar pika për grumbullimin e qumështit dhe rritje të subvencioneve për bujqësinë dhe blegtorinë. FOTO

Mbështetje për sektorin e bujqësisë ka premtuar edhe Fadil Nura në Skënderaj. Ai ka thënë se me të marrë udhëheqjen, prioritet do të jetë ky sektor.

Ndërsa, Ferit Idrizi në Vushtrri, ka thënë se prioritet i tij janë rinia dhe gratë.