Lokalet 2021

Rama: Prishtina është në kaos total urban dhe të trafikut

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se buxheti për këtë komunë nuk ka qenë kurrë problem për zhvillimin e projekteve. Sipas tij, buxheti nuk është arsyeja pse disa projekte nuk janë zhvilluar në kryeqytet, dhe për të, projekte si ato infrastrukturore mund të kryheshin thjesht.

“Buxheti nuk ka qenë kurrë problem, problem kanë qenë projektet. Ne projektet i kemi, projektet që ndoshta iu duken të mëdha disa personave, nuk janë, janë projekte strategjike që u duhen qyteteve të mëdha, kryeqytetit tonë që në këtë moment është në kaos total urban, posaçërisht në aspektin e kaosit të trafikut. Disa intervenime strategjike infrastrukturore e bëjnë ndërlidhjen e lagjeve dhe e lirojnë Prishtinën nga kaosi i trafikut. Në aspektin e buxheteve, e kemi deri tash jo që është mjaftueshëm por është kthyer, por kemi edhe fonde të tjera që mund t’i marrim edhe nga BERZH-i, IPA”, ka thënë ai në emisionin Zgjedhjet në KOHË.

Rama ka thënë se komuna ka fonde dhe se në programin e tij thotë se e ka paraparë edhe aspketin financiar për projektet që do të ndërmarr nëse fiton garën për të parin e Prishtinës.

Sipas Ramës, “nuk ka asgjë të vështirë” në përfundimin e projekteve dhe se për to “duhet vetëm vizioni”.

Ai foli edhe për rastet sociale. Shtoi se do të merren seriozisht me personat që janë raste sociale.

“Kemi punuar me ekip që Prishtina është për të gjitha. Programi ynë duhet të merret me të gjithë pjesëtarët e komunitetit, posaçërisht personat që janë në nevojë sociale. Në programin tonë e kemi pjesën ku merremi me këtë aspekt në mënyrë serioze që t’i inkorporojmë si pjesë e shoqërisë”.