Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Kastrati me fushatë nëpër oda

Descriptive Text

Meqë është deklaruar se nuk po financohet nga askush për të zhvilluar fushatë tradicionale, kandidati i pavarur për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati, takimet elektorale po i zhvillon kryesisht brenda nëpër shtëpi. Ndonëse nuk ka prezantuar ndonjë program qeverisës, ai ka premtuar furnizim me ujë e infrastrukturë nëpër çdo lagje të kësaj komune.

Për shkak të mungesës së mbështetjes financiare për të zhvilluar fushatë zgjedhore, kandidati për kryetar të Kamenicës fushatën po e zhvillon kryesisht nëpër shtëpi e oda.

Qëndron Kastrati, i cili aktualisht udhëheq me këtë komunë dhe po synon edhe një mandat, votën për të po e kërkon shtëpi për shtëpi pa zhvilluar ndonjë aktivitet tjetër që kërkon financim.

Kjo pasi, qysh në ditën që ka nisur zyrtarisht fushata, Kastrati u ishte drejtuar qytetarëve të tij duke u kërkuar mbështetje financiare për të zhvilluar, siç ka thënë ai, fushatë të mirë.

“Fushata ime nuk financohet as nga shteti, as nga paratë e korrupsionit. Jemi të rinj me të ardhura mesatare. Andaj po kërkoj mbështetjen tuaj, sepse: takimet me qytetarë, pagesat për vëzhgues, prezantimi i programit, e aktivitetet tjera kërkojnë financim”, ka thënë ai.

Në takimet e shumta të tij me qytetarët, Kastrati ka premtuar ujësjellës, kanalizim, ndriçim e asfaltim për secilën lagje, porse njoftimet për këto zotime janë bërë vetëm nëpërmjet fotografive, pa shpalosur program për mandatin e ardhshëm.

Ai u ka dhënë mbështetje bujqve e bizneseve derisa është zotuar që tregu i Kamenicës do të marrë pamje krejtësisht të re.