Lokalet 2021

Bahtiri akuzon PDK-në për sulm, kjo e mohon

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka akuzuar rivalen, Partinë Demokratike të Kosovës, se njerëz të saj kanë kryer sulm në një tubim të Vetëvendosjes në lagjen Bair, të premten. Megjithatë, kjo është mohuar nga eksponentë të PDK-së.

“Ndjej keqardhje për përkrahësit tonë, që sonte u sulmuan nga gangsterët e PDK-së në lagjen Bair, gjatë tubimit që po mbanim aty. Duhet ta dijë i madh e i vogël se kjo kohë ka shkuar. Kurrë më nuk do të përsëritet. Po ndihem keq që po i jepni këtë fytyrë qytetit tonë të qetë, por ju veç po e tregoni fytyrën tuaj të vërtetë. Jo PDK, kështu nuk bëhet debati e as fushata! Unë do t'i dalë zot Mitrovicës si 8 vitet e fundit!” ka thënë Bahtiri në Facebook.

Në një postim të mëvonshëm, Bahtiri ka deklaruar se është shmangur një incident duke shtuar PDK-në që më 17 tetor “të shmangni incidentin e madh, që quhet PDK e mbështjellë në fytyrën/maskën ‘engjëllore’ të Bedri Hamzës”.

Në anën tjetër, PDK-ja ka thënë se për tensione në Mitrovicë ka nevojë vetëm Agim Bahtiri. Arian Tahiri, bartësi i listës së PDK-së në garën për asamblistë në Mitrovicë, ka thënë se akuzat e Bahtirit janë vetëm “përpjekje për të gjetur shpëtim”.

“Mitrovica nuk ka nevojë për tensione. Agim Bahtiri ka nevojë. Mitrovica ka nevojë për zgjedhje fer e demokratike. Ka nevojë për paqe. Ka nevojë për punësim dhe për një ambient më të mirë për të jetuar. Qytetarët e Mitrovicës kanë nevojë për mirëqenie. Si bartës i listës së PDK-së i demantoj të gjitha pretendimet e Agim Bahtirit dhe të kampit të tij për përfshirje të aktivistëve tanë në incidentin e sotëm në lagjen ‘Tjegullorja’. Akuzat e papërgjegjshme të tij për të nxitur tensione politike, në përpjekje për të gjetur shpëtim, nuk janë në frymën elektorale që jemi munduar ta krijojmë dhe që i duhet Mitrovicës. Këto janë përpjekjet e fundit të tij, të cilat po i përdor pasi që nuk po i kryejnë më punë manipulimet e tjera. Kështu, sikurse sonte, na akuzonte edhe para disa muajsh për ngjarjen e famshme në Tavnik – ka qenë ngjarje mediale, ku Agim Bahtiri si kryetar dëgjohej duke sharë në tubimet e tyre. Qytetarin që e kishte sharë Agim Bahtiri, më pas ishte detyruar t’i kërkoj falje, sepse doli që ishte aktivist i tyre. Mitrovicës më nuk i duhet një kryetar që i shanë qytetarët e tij. Nuk i duhet as një kryetar që nxit tensione për ta shpëtuar veten. Por, i duhet një kryetar që e përfaqëson edukatën, kulturën, intelektualizmin e mitrovicasve. Mitrovicës i duhet qetësi, përkujdesje, investime dhe punë, shumë punë, në shërbim të zhvillimit dhe të mitrovicasve!”, ka shkruar ai.

Zgjedhjet lokale sivjet mbahen më 17 tetor. Bahtiri synon mandatin e tretë. Te PDK-ja garon ish-ministri Bedri Hamza.