Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Rama premton investime në infrastrukturë, shkolla e parqe në Prishtinë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës dhe ai për Rahovecin kanë publikuar programet e tyre për qytetet që synojnë t’i udhëheqin. Ata kanë premtuar një sërë projektesh të mëdha, por për to nuk kanë treguar koston buxhetore. Së shpejti programin qeverisës pritet ta prezantojë edhe kandidatja për Ferizajn, Sibel Halimi

Kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave kanë nisur prezantimet e programeve qeverisëse. Të mërkurën programin e ka prezantuar kandidati për Rahovecin, Burim Krasniqi, e mbrëmjen e së martës atë e ka publikuar edhe kandidati për kryeqytetin, Përparim Rama. Të dy kanë dhënë premtime të shumta e të mëdha, pa treguar koston buxhetore e as mënyrën se si do të mbulohen.

Duke u mbështetur në tri shtyllat e programit: për Prishtinë praktike, të gjelbër e të përjetimeve, Rama po synon transformimin e kryeqytetit. Ai ka premtuar ngrohje qendrore, menaxhim të mbeturinave, rregullim të kanalizimeve, ndërtim dhe mirëmbajtje të parqeve, ndërtim të më shumë se shtatë shkollave e një sërë projektesh të mëdha infrastrukturore, por për asnjërën prej tyre Rama nuk e ka treguar koston buxhetore.

“Do ta lidhim Pallatin e Rinisë me Hotelin Grand. Në të njëjtën frymë do të krijohen hapësira urbane që ndërlidhin dy lagjet e mëdha të qytetit, ‘Dardaninë’ dhe ‘Kalabrinë’, nëpërmjet nënkalimit nga rrethi i Veternikut e deri te Stacioni i Autobusëve. Aty do të krijohen parkingje nëntokësore, si dhe hapësira komerciale që mundësojnë realizimin e këtij projekti, si projekt publiko-privat”, thuhet në programin e tij.

Problemi me parkingjet në Prishtinë e ka shtyrë Ramën të japë një zotim të ngjashëm më kundërkandidatin nga PDK-ja, Uran Ismaili. Ai ka thënë se do të ndërtojë 7 lokacione parkingjesh 6-7 minuta nga qendra dhe pagesa e parkingut do të shërbejë si biletë për transportin publik.

E programi i Burim Krasniqit për Rahovecin do të mbështetet në shtatë shtylla kryesore, duke radhitur të parën bujqësinë. Krasniqi ka premtuar zhvillim ekonomik, ndërtimin e dy shkollave, eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave, kontrolle mjekësore sistematike të nxënësve nëpër shkolla, infrastrukturë rrugore, ujore e atë për trajtim të ujërave të zeza, si dhe mundësi për të rinjtë.

“Krijimi i mundësive për punë profesionale njëvjeçare me pagesë për çdo të diplomuar nga Komuna e Rahovecit është top prioriteti ynë. Këtë në bashkëpunim me bizneset private, me qëllim të dyfishtë, që puna praktike profesionale njëvjeçare të garantojë mundësinë e punësimit për nesër, dhe e dyta që nëse gjendet mirëkuptim me biznesin privat të krijohet mundësia e gjetjes së një vendi pune”, ka thënë, mes të tjerash, ai.

Në prag të përgatitjes së programit është edhe kandidatja për Ferizajn, Sibel Halimi. Halimi ka njoftuar se së shpejti programi do të jetë në duart e qytetarëve, të cilët, siç ka thënë ajo, e kanë hartuar vetë.

E kandidati për kryetar të Mitrovicës, Armend Agolli, ka treguar se në bashkëpunim me profesionistë ka gjetur zgjidhje praktike për kaosin 20- vjeçar të trafikut.

“Një ndër projektet që i kemi dhënë prioritet është që ta kthejmë identitetin e qytetit tonë në kohën që ka qenë përpara. Dhe t’ia kthejmë imazhin që ka qenë përpara”.

Kandidati për Gjilanin, Lutfi Haziri, të mërkurën ka vizituar disa biznese e disa fshatra të cilave u ka premtuar urbanizim.

“Do ta shndërrojmë Kalanë e Pogragjës në qendër rekreacioni, sikurse që do t’i japim zgjidhje përfundimtare trajtimit të lumit Morava përmes impiantit të ujërave të zeza. Do ta mbështesim, po ashtu, edhe rritjen e fondeve të bagëtive për Sllubicën, Llovcën, Kokajt, dhe Stublinën, si zona të rëndësishme të zhvillimit të kësaj veprimtarie”, ka thënë ai.

Në Prizren, kandidati Anton Quni u ka premtuar mbështetje pensionistëve, ku ka thënë se me udhëheqjen e tij kjo kategori do të rikthehet në qendër të vëmendjes.

E Dega e LDK-së në Shtime ka njoftuar se kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, ka vizituar kandidatin e kësaj komune dhe se takimi është mbajtur në përputhshmëri të plotë me masat e Qeverisë kundër COVID-19.

“LDK-ja është alternativa e vetme, ka kandidatura të duhura, ku me integritet dhe përgatitje profesionale janë të gatshëm që problemeve të akumuluara me vite t'u japin zgjidhje”, thuhet në njoftim.