Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / AAK-ja premton mbështetje për “Handikosin” në Gjilan, “Muze të Hapur” në Llapashticë

Kandidati i AAK-së për Gjilanin, Nazim Gagica, ka nënshkruar deklaratë zotimi për ta ndihmuar shoqatën “Handikos”, e kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, ka premtuar vazhdimin e punëve të mira, siç i ka quajtur ai. Kandidati për Podujevën, Besnik Tahiri, me qëllim të kujtimit të sakrificës për liri, por edhe të zhvillimit të turizmit, ka thënë se në Llapashticë do ta ndërtojë ”Muzeun e Hapur”

Me premtime për “Handikosit” e ka nisur ditën e gjashtë të fushatës kandidati për Gjilanin, Nazim Gagica. Ai u ka premtuar përfaqësuesve të kësaj shoqate qasje në vende publike, në rrugë e trotuare e në objekte komunale.

Gagica me dy drejtorët e “Handikosit” gjithashtu kanë nënshkruar një deklaratë zotimi, ku premton se nën qeverisjen e AAK-së, personave me aftësi të kufizuara do t’u mbrohen të drejtat.

“Në qeverisjen e ardhshme katërvjeçare do të sigurojmë që secili person me aftësi të kufizuar, pavarësisht moshës, të gëzojë të drejta të barabarta si një formë e vetme për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për të gjithë”, ka shkruar Gagica në Facebook.

E kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini, ka vizituar disa fshatra të kësaj komune.

Nëpërmjet një videoje ai ka treguar punët që ka kryer gjatë një mandati nëpër këto zona dhe premton bashkëpunim edhe për një mandat.

“Secili prej nesh kur e dimë që qytetarët e vlerësojnë punën dhe janë në mbështetje na bëjnë me u ndie mirë, edhe mua më bën mu ndie mirë dhe ju falënderoj shumë. Po dua me ju tregu që edhe në katër vjet që vijnë kemi me qenë bashkë, kam me qenë me ju”, ka thënë ai.

Gjini gjithashtu ka publikuar programin për qeverisje në vitin 2021-2025. Në atë program ai ka premtuar rritje të fondit të bursave në arsim dhe përmirësime edhe në fusha të tjera, si në bujqësi, kulturë, rini e sport.

Ndërsa kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, gjatë së martës ka dalë në mbështetje të kandidatit të tyre për Suharekën, Bali Muharremaj. Haradinaj ka thënë se Muharremaj është njëri i duhur për ta zhvilluar këtë komunë edhe më tutje.

“Ju ftoj që të vazhdojmë suksesin për komunën tuaj, për zhvillimin e mëtejmë e mirëqenien tuaj”, ka thënë Ramush Haradinaj në videon e publikuar në Facebook.

Kandidati për Pejën, Rrustem Berisha, gjatë vizitës që ka bërë në fshatrat Novosellë dhe Jabllanicë e Vogël në takimet me qytetarë nuk ka respektuar masat anti-COVID.

E kandidati për Podujevën, Besnik Tahiri, ka premtuar se në fshatin Llapashticë do të ndërtojë “Muzeun e Hapur” dhe gjithashtu do të përmirësojë infrastrukturën për zonat e tjera turistike.

“Zotimi im ishte se mu në këtë fshat do të ndërtojmë ‘Muzeun e Hapur’, muze ky i cili do të tregojë për rezistencën e këtij populli, dhe i cili do të kthehet në pikën turistike. Pra, do të krijojmë: Zonën historike - Muzeun e Hapur, Rikonstruktimin e zonave - pikave të luftës dhe Shtigjet e Lirisë, ndërtimi i infrastrukturës së plotë përcjellëse”, ka shkruar Tahiri.

Fushatën zgjedhore digjitale e kanë përcjellë me foto e video edhe kandidatë të tjerë të kësaj partie.