Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / PDK-ja premton ndërtime rrugësh, salla sportive dhe digjitalizim të QKMF-ve

Partia më e madhe opozitare në vend ka vazhduar fushatën e saj për zgjedhjet lokale me premtime të ndryshme elektorale. PDK-ja, fushatën e ka vazhduar larg mediave e të përqendruar me postime në rrjetë sociale, ku po i promovojnë premtimet e tyre.

Rrahim Tërnava, kandidat i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, gjatë një vizite në QKMF-në e kësaj komune, ka premtuar digjitalizim në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare dhe shtim të stafit.

“Ofrimi i kushteve më të mira të punës për stafin mjekësor në të gjitha qendrat shëndetësore do të jetë prioritet, që qytetarët t'i kenë më afër shërbimet dhe t'i marrin më shpejt ato. Nga digjitalizimi i këtyre qendrave, rritja e numrit të stafit e deri te shtimi i kapaciteteve për kujdes primar, do të jetë fokusi ynë gjatë qeverisjes lokale”, ka shkruar Tërnava në Facebook.

E Fadil Nura, kandidat për të parin e komunës së Skenderajt, përmes një postimi në Facebook, është zotuar se do ta vazhdojë ndërtimin e rrugës “Dëshmorët e Kombit”. Ai po ashtu ka premtuar pjesën “unazore”, që lidh një pjesë të qytetit me fshatin Llaushë.

“Vazhdimi i projektit infrastrukturor i Rrugës “Dëshmorët e Kombit”, si pjesë unazore e qytetit, e paraparë në kuadër të planit Urban, është vlerësuar tejet i rëndësishëm për banorët e Lagjes II, do të jetë një nga prioritetet e qeverisjes sonë të përbashkët. Edhe projekti tjetër që ndërlidhet me këtë, pjesa unazore e jashtme që lidh qytetin me fshatin Llaushë, do të jetë prioriteti i radhës”, ka shkruar Nura në llogarinë e tij në Facebook.

Në kuadër të fushatës zgjedhore, dega e PDK-së me kandidaten Leonora Bunjaku, ka nënshkruar një marrëveshje me shoqatën HENDIKOS dhe me Shoqatën e të Verbërve. Bunjaku premtoi ndërtimin e një salle sportive për personat me nevoja të veçanta.

“Përveç krijimit të nën-kodi buxhetor, lirimit të hapësirave rreth objektit të Handikos-it, ku është krijuar një deponi me automjetet e konfiskuara, meremetimin e rrethojave të objektit, rregullimin e kaldajave për ngrohje dimërore, ne u zotuam se në qeverisjen tonë komunale do të ndërtohet edhe salla e sporteve për persona me nevoja të veçanta”, thuhet në postimin e degës së PDK-së në Gjilan.

Riad Rashiti u.d. kryetar i degës së PDK-së në Gjilan, ka shtuar se PDK-ja është subjekti i parë dhe i vetëm politik në Gjilan që e nënshkruan një marrëveshje të tillë me HENDIKOS-in.

E fushatën e ka vazhduar edhe kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj.

Në një takim më mësimdhënës të kësaj komune, ai premtoi se gjatë mandatit të tij, do të ketë punësime meritokratike në arsim, digjitalizim të shkollave e siguri për fëmijët.

Po ashtu, gjatë një vizite te një punëtori që prodhon veshje tradicionale si “Plisat”, u ka premtuar ndihmë këtyre bizneseve, me anë të “Fondit për Biznes” të programit të tij.

Ndërkaq, Murtez Zekolli, kandidat për kryetar të Suharekës, ka vizituar fshatra të ndryshme të kësaj komune, ku edhe ka premtuar mbështetje për banorët e tyre.

Por Zekolli, nuk i ka respektuar rekomandimet e IKSHPK-së kundër pandemisë.

Në një foto të postuar në llogarinë e tij në Facebook, ai shihet i ulur në një lokal bashkë me tetë persona të tjerë, edhe pse kjo është e ndaluar sipas masave Anti-Covid.

Ndërkaq, Uran Ismaili përmes postimeve në rrjete sociale, ka vazhduar me moton “Për një Prishtinë të gjelbër dhe digjitale”.