Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja premton zona ekonomike e shtigje për biçikleta - shkel masat anti-COVID

Shtigje për biçikleta ka premtuar të dielën kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së Uran Ismaili.

Pas një takimi me çiklistë të kryeqytetit, Ismaili ka premtuar ndërtimin e 100 kilometrave shtigje të biçikletave për ta shkarkuar trafikun.

Në kuadër të fushatës zgjedhore takim me qytetarët, ka pasur edhe kandidati i kësaj partie për Prizrenin, Shaqir Totaj.

Ani pse PDK-ja për shkak të pandemisë ka vendosur që fushatën ta bëjë online e pa tubime fizike, megjithatë në tubimin që ka mbajtur Totaj janë shkelur masat anti-COVID.

Sipas videos së publikuar, në tubimin e Totajt ishin 82 persona derisa sipas Ligjit anti-COVID nuk lejohen tubime me më shumë se 50 persona në ambiente të jashtme.

Në anën tjetër, kandidati për Mitrovicën, Bedri Hamza, ka vizituar zejtarët e qytetit të tij, të cilëve u premtoi se do t’ua çlirojë të gjitha potencialet zhvillimore. 

Zotime elektorale ka dhënë edhe pretendenti për të parin e Skenderajt, Fadil Nura. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Nura ka thënë se ndër prioritetet e qeverisjes së tij do të jetë fasadimi i objekteve banesore të qytetit si dhe zgjidhja e problemit të parkingut për banorët rezidentë.

Për Malishevën, kandidati, Hysni Kilaj, ndër të tjera, ka premtuar ujë 24 orë, zonë ekonomike e funksionalizim të gjitha ambulantave të komunës.